Në bashkinë Dhirfion-Messarion të Evias është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, për shkak të zjarrit të madh që shpërtheu mesnatën e të martës.
Greqia kërkoi ndihmën e partnerëve europianë dhe Italia e Kroacia iu përgjigjën thirrjes, duke dërguar avionat zjarrfikës.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ndërpreru pushimet dhe u kthye në Athinë, ku në mbrëmje shkoi në qendrën operative të shërbimit të zjarrfikësve.
Sipas burimeve zyrtare, zjarri ka dëmtuar banesa në fshatin Makrimali, ndërsa në orët e mbrëmjes flakët po iu kanoseshin fshatrave Kontodespoti dhe Stavros.
Të tre fshatrat janë evakuar dhe banorët janë akomoduar në Psahna, ndërsa mbrëmjen e të martës po evakuohej edhe fshati Platania.
Gjuhët flakëve kanë marrë drejtimin nga jugu dhe jugperëndimi, ndërsa forcat e shumta zjarrfikëse po përpiqen që t’i venë zjarret nën kontroll.
Dy zjarre të tjerë, gjithashtu të fuqishëm janë shënuar në rajonin e Tebës dhe në zonën e Pogonit, pranë kufirit me Shqipërinë, dhe ende nuk po vihen nën kontroll.
Në zonën e Atikës, autoritetet kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve dhe të njerëzve në zonat pyjore dhe ato bregdetare të pyllëzuara, ku ka rrezikshmëri më të lartë zjarri për të martën dhe ditët e ardhshme.
Që prej disa ditësh Greqia po ndeshet me një valë zjarresh, disa prej të cilëve kanë qenë shkatërrues.
Në rajonin e Peloponezit u dogj 25 për qind e sipërfaqes së ishullit Elafonisos, ndërkohë që shumica e turistëve vendas e të huaj janë larguar tashmë.