Përkrahës të opozitës u përplasën fizikisht në mbrëmje me policinë e shtetit në Kavajë, kur u përpoqën disa herë të shpërthejnë me forcë derën e KZAZ-së, ku ndodhen materialet zgjedhore.
Policia hodhi në drejtim të tyre gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të frenuar sulmet e tyre, madje doli nga zona e objektit për të kapur disa nga protestuesit më aktivë kundër saj.
Momente të forta tensioni pati sot në shumë qytete të Shqipërisë, ku opozita ka kontrollin e bashkive.
Mbështetës të saj u grumbulluan pranë mjedisve, ku janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), duke kërkuar ndërprerjen e procesit.
Situata ka kaluar në përballje me policinë në Kamëz dhe në Burrel, ku është tentuar hyrja në mjediset e KZAZ-ve.
Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit e opozitës, të cilët më vonë hynë brenda Pallatit të Sportit, duke nxjerrë prej andej dhe shkatërruar materialet zgjedhore, të cilave iu vu flaka.
Drejtuesit e djathtë të bashkive prej ditësh po këmbëngulin në lirimin e mjediseve të cilat janë vënë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për procesin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.
Sipas tyre, dekreti i Presidentit Ilir Meta për anullimin e 30 Qershorit duhet respektuar, e për pasojë nuk mund të ketë asnjë proces zgjedhor. Ndërkohë që KQZ e ka konsideruar të pavlefshëm vendimin e kreut të Shtetit dhe ka vijuar me përgatitjet e zgjedhjeve.
Tensione të forta u regjistruan dje dhe në Tropojë, ku mbështetësit e opozitës hynë brenda KZAZ-ës në qendër të qytetit.
Ndërsa në Shkodër përplasjet me policinë përfunduan mbrëmjen e së martës me thyerjen e xhamave në një shkollë të qytetit dhe vënien zjarr në mjediset ku ndodheshin materialet zgjedhore të një prej KZAZ-ve të Shkodrës.
Policia njoftoi sot se të paktën 13 persona janë arrestuar për ngjarjet e dhunshme dje në Tropojë dhe Shkodër.