Avokati i Aleko Petros, që akuzohet për vrasjen e vajzës së tij Anxhelina, ka treguar detaje të reja mbi debatin që pati përfundimin kaq tragjik.
Duke folur për televizionin Star, avokati Vasilis Nulezas, ka përgënjeshtruar që autori i vrasjes të kishte ushtruar edhe më parë dhunë ndaj të bijës.
Sipas avokatit, “ajo çka shkaktoi krimin e tmerrshëm, ishte dashuria e ekzagjeruar, interesimi i jashtëzakonshëm dhe insistimi i tij i pajustifikueshëm që të diktojë jetën personale, profesionale dhe shpirtërore të vajzës së vet”.
Avokati tha se Alekso kundërshtonte lidhjen e të bijës me afganin, jo për motive raciste. Po për faktin se që nga nëntori 2017 ajo ishte larguar nga i jati dhe të afërmit e tjerë.
Avokati tha se Petro nuk ndodhej nën ndikimin e alkoolit gjatë kryerjes së krimit. Sipas avokatit, vrasja nuk ishte e paramenduar. Pas debatit që kishin midis tyre, e goditi me një send të fortë (levë hekuri) që ishte pranë sobës. Vajza u hodh nga dritarja, nga lartësi 2 metra që të shpëtonte. Aleko e ndoqi dhe finalizoi aktin kriminal, ngase “i qenë errur sytë”.
“Është penduar, qan vazhdimisht”, tha avokati.
Ai shtoi se Aleko Petro i tha që do të donte të ishte ai në vend të vajzës së vrarë dhe se në gjyq nuk do të kërkojë të merret parasysh asnjë rrethanë lehtësuese.