0030 210 33 18 483

Von der Leyen nominohet për postin kryesor të BE-së

ATSH 28 Qershor 2024

BRUKSEL, 28 qershor /ATSH/ – Udhëheqësit e BE-së kanë emëruar kryetaren aktuale të Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për një mandat të dytë pesëvjeçar në postin kryesor të bllokut, në një samit në Bruksel, sipas BBC.
Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas u zgjodh si shefja e ardhshme e çështjeve të jashtme të BE-së dhe ish-kryeministri portugez António Costa u zgjodh si kryesuesi i ardhshëm i samiteve të BE-së.
Të tre kandidatët janë nga fraksionet centriste pro BE.
Parlamenti Evropian do të votojë për nominimet muajin e ardhshëm.
Ursula von der Leyen është nga qendra e djathtë e Gjermanisë, António Costa është një socialist dhe Kaja Kallas një liberale.
Por, këto nominime u përballën me rezistencën e kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Përpara samitit ajo tha se planet injoronin sukseset e partive të djathta të forta si ajo e saj në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian.
Zonja Meloni abstenoi nga votimi për Von der Leyen dhe votoi kundër Costas dhe Kallasit.
Miratimi nga Parlamenti Evropian mund të jetë një sfidë më e ndërlikuar.
“Unë do të doja të shpreh mirënjohjen time për liderët që miratuan emërimin tim për mandatin e dytë si president i Komisionit Evropian”, tha Von der Leyen pas votimit.
Kaja Kallas tha se ishte “me të vërtetë e nderuar nga mbështetja e Këshillit” dhe e përshkroi rolin si një “përgjegjësi të madhe”.
Costa, i cili dha dorëheqjen si kryeministër vitin e kaluar, do të zëvendësojë ish-kryeministrin e Belgjikës Charles Michel.
Kallas do të marrë detyrën nga Josep Borrell i Spanjës.
Meloni, e cila kryeson bllokun e krahut të djathtë të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) në Parlamentin Evropian, nuk u përfshi në bisedimet për nominimet pavarësisht faktit se ECR u bë grupi i tretë më i madh në parlament pas zgjedhjeve evropiane.
Duke iu drejtuar parlamentit italian të mërkurën, ajo tha me zemërim se votuesit evropianë i kishin kërkuar BE-së të “marrë një rrugë të ndryshme nga ajo në të cilën ka udhëtuar deri tani”.
Pa përmendur emra, ajo kritikoi “ata që argumentojnë se qytetarët nuk janë mjaft të pjekur për të marrë vendime të caktuara dhe [që besojnë] se oligarkia është në thelb forma e vetme e pranueshme e demokracisë”.

Ndaje me miqte