Vlerësimi për Greqinë: rritje ekonomike 2% këtë vit dhe 2.3% në 2019-n
Tribuna TV
30 Prill 2018
Rritjen e mëtejshme të ritmeve të zhvillimit të ekonomisë greke me më shumë se 2% për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, parashikon organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD).
Sipas raportit për Greqinë (OECD Economic Surveys: Greece 2018) që u publikua të hënën, rritja ekonomike e Greqisë do të jetë 2% për 2018-n dhe 2,3% për 2019-n.
OECD thekson nevojën për një ristrukturim të mëtejshëm të borxhit publik grek, ndërsa rekomandon sanksionimin e negocimeve për kontratat kolektive të pagave që do të mbulojnë me gjerësisht kushtet e punës. Për pagën minimale, OECD rekomandon krijimin e një komisioni me partnerët sociale dhe ekspertë të pavarur që do të propozojë ripërshtatjen e saj.
OECD konstaton se reformat kanë përfituar dinamikë dhe se axhustimi fiskal ka forcuar besueshmërinë, duke pakësuar pasigurinë. “Eksportet kanë udhëhequr rritjen e prodhimit të përgjithshëm të brendshëm dhe reformat në tregun e punës kanë forcuar kompetivitetin. Punësimi po rritet me ritme të shpejta, ndërsa disekuilibrat e jashtëm dhe ata fiskalë po trajtohen”, konkludon OECD.
Ndaje me miqte