0030 210 33 18 483

Viktor Zhusti, falënderimi i tij pasi magjepsi publikun në Dancing With the Stars

Tribuna TV 13 Qershor 2018

Aktori i mirënjohur Viktor Zhusti ka befasuar publikun në një dimension tjetër të tij. Edhe pse 76 vjeç, Zhusti ka magjepsur me paraqitjen e tij në spektaklin Dancig With The Stars (Vizion +), duke arritur deri në finale.

Në fakt, suksesi i duetit Zhusti-Olta Ahmetaj, nuk i dedikohet një farë “zemërgjerësie” të jurisë dhe publikut. Por në radhë të parë performancës që ka realizuar kjo dyshe dhe më së pari vetë Viktor Zhusti, që nuk është dhe “dancer” profesionist...

Gjithsesi, Zhusti duket se është prekur jashtë mase nga pjesëmarrja e tij në spektakël dhe e ke përjetuar fuqishëm çdo natë që është shfaqur në ekran.

Prandaj dhe në mbyllje të edicionit i ka nxjerrë nga thellësitë e shpirtit fjalët, për të përshkruar ndjenjat dhe falënderuar një për një gjithë autorët e spektaklit kaq popullor në Shqipëri.

Në një status në Faceboook, që e titullon FALENDERIM ! (E pse jo, dhe pakëz nostalgji), Viktor Zhusti shkruan:

“Dancing With The Stars, Albania 7, (DWTHS), mbaroi. Ndritshëm ! Bujshëm ! Suksesshëm ! Jo kurdoherë kthej kokën prapa për të gjykuar rrugën e përshkuar, por, në këtë rast, ndjej të më tërheqë një detyrim që, pas çdo përpjekjeje për ta shlyer, veç rritet. 12 javë në këtë maratonë artistike ! Edhe ajo që më dukej e pabesueshme, u bë e mundur ! 

Gjatë përgatitjeve, kur koha kalonte me shpejtësi të pazakontë, në ankthin e përditshmërisë, të gjithë bashkëpunëtorët përreth, më dukej se thjesht “bënin detyrën”, ndihmonin dhe se gjithë “bota e vëmendja ishim ne, që na quanin ose vetëquheshim VIP !!! Tani, çliruar nga “ankthi i garës”, e parë në një optikë tjetër, kuptoj se, ata ishin “protagonistët e heshtur”, pa të cilët, ky spektakël, jo vetëm nuk do të kish shkëlqimin e festës, siç qe në të vërtetë, por as do të qe i mundur. MIRËNJOHJE TË GJITHËVE! 

Së pari, falënderoj përzemërsisht, partneren dhe drejtuesen time artistike OLTA AHMETAJ! E kam lodhur. Shumë herë dhe dëshpëruar me mosarritjet, por... këto ishin mundësitë e mia! Ç’t’i bësh!... Në Dancing, si dhe në jete, nuk na takon çdo herë partneri i përshtatshëm...

Falënderoj gjithashtu dinjitozen plot hir LORI BALA, dhe të bukurën gjithë dritë HELGA SARAÇI, që në dy javë të ndryshme, i kisha partnere në spektakël. Punova me secilën vetëm tri ditë! Kohë e mjaftueshme për t’u mrekulluar ! Meteorët, nuk e ndriçojnë çdo natë qiellin tonë...

JURI E NDERUAR ! Emma Andrea, Alfred Kaçinari, Julian Deda, Ilir Shaqiri, mirënjohje ! Më keni gjykuar me zemër të ngrohtë, jo mendje të qetë ! Në çdo notë, më shumë se rezultati, shihja shkallen e fisnikërisë Tuaj, shoqëruar me konsideratë e përzemërsi ndaj meje. Ndoshta, Ju dhashë me pak nga ç’prisnit ! Me siguri, më dhatë më shumë nga ç’prisja! JU FALEMINDERIT !

Një falënderim, tepçr i veçantë për HOLTA KOLANECI-DYLAKUN, producenten largpamëse, të bukur, të mençur, me mendje e zemër fisnike, prej të cilave buron aq mirësi e mirëkuptim, sa që DWTHS, nuk është më një “program televiziv”, por FESTE e hareshme!

Sikur të ishte e mundur e pamundura, çdo natë do t’i shtrija krahët deri në fund të sallës dhe më pas, ekstremisht larg në hapësirë, për të mbështjellë në një përqafim të ngrohtë, spektatorë e teleshikues që, si gjatë mbrëmjes së spektaklit, ashtu dhe me pas në rrjetet sociale, më ishin kaq pranë e dashamirës, sa ndjehem pafundësisht i detyruar ndaj tyre !

Dhe së fundmi: Kontratën e parë, për të marrë pjesë në DWTHS, producentia e bëri me mua, në vitin 2010, kur isha 68 vjeç ! Kontratën e dytë, këtë vit, e bëri përsëri me mua, në moshën 76 vjeç ! Nëse do të mendojë edhe për ndonjë kontratë të trete, besoj që duhet ta rregullojë e bindë ZOTIN ! Sepse, ndjej dhe unë, prej kohësh, një dorë të zgjatur, dikush më pret “atje lart”, që, si të çlirohem nga ankthi, dhimbjet dhe acarimet, nga shpirt’ e mendje-vogëlsitë, nga gjithë graviteti i së keqes dhe interesave meskine që na mbajnë të lidhur në tokë, që na zvogëlojnë, rrudhin e perçudnojnë si “qenie materiale”, të ngjitem atje, në një botë fluide, interne, pa gravitet, ku shpirti i çliruar tërësisht, do të vërtitet i lirë midis yjeve, çmendurisht, në ciklin e pandalshëm të jetë-përjetësisë... Ai, për mua do të jetë i treti, më i madhi, i ndritshmi, fantasmagoriku DWTHS i vitit dy mijë e ... e... Dhe kur të ndodhë kjo, ndonjë nga njerëzit e dashur, që do të më kenë mbetur akoma atje, midis jush në tokë, do të pëshpëritë i lehtësuar: “ lindi duke qarë, si të gjithë. Kaloi dhe një pjesë të jetës, duke qarë, si të gjithë. Por, IKU DUKE VALLZUAR ! Jo si të gjithë! 

JU FALEMINDERIT!”.

Ndaje me miqte