VIDEO: Nënshtetësia greke për emigrantët. Çfarë deklaroi ministri i ri
Tribuna TV
05 Shtator 2018
Ministri i brendshëm grek, Aleksis Haritsis, ka vetëm një javë që ka marrë detyrën. Ai zëvendësoi në këtë post ministrin e mëparshëm, Panos Skourletis, që u zgjodh sekretar i përgjithshëm i SYRIZA-s.
Haritsis u bë pjesë e qeverisë Tsipras në shtator 2015, si zëvendësministër i ekonomisë dhe një vit më vonë “u gradua” ministër alternat i ekonomisë dhe zhvillimit.
Në intervistën e tij të parë si ministër i brendshëm, dhënë agjencisë së lajmeve ANA-MPA, zoti Haritsis ka folur edhe për çështjen e nënshtetësisë, duke theksuar se do të jetë një nga prioritetet më të “rëndësishme”.
ALEKSIS HARITSIS: “Në varësi të Ministrisë së Brendshme përfshihen edhe një sërë kompetencash të tjera, të cilat posaçërisht tani, në këtë fazë të parë “pas memorandumit” në të cilën kemi hyrë, janë shumë të rëndësishme.
Për shembull, çështja e nënshtetësisë. Për ne ka shumë rëndësi që të avancojë dhe të përshpejtohet përpjekja e viteve të fundit për dhënien e nënshtetësisë atyre kategorive të bashkëqytetarëve tanë që në bazë të ligjit kanë të drejtë ta përfitojnë.
Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Rrjedhimisht, modernizimi, thjeshtëzimi, por edhe rritja e transparencës së këtij sistemi, është një nga prioritetet më të rëndësishme”.