VIDEO: Momenti kur Tsipras përgëzon shqiptarin për shpëtimin e dhjetra njerëzve në Mati
Tribuna TV
05 Shtator 2018
Siç kemi njoftuar, një emigrant shqiptar dhe dy egjiptianë do të marrin nënshtetësinë greke, në shenjë nderimi për ndihmesën e dhënë mbrëmjen e 23-24 korrikut, kur gjatë zjarrit në Mati shpëtuan dhjetra jetë njerëzish.
Ka interes të thuhet që, krahas kryeministrit Tsipras kanë qenë dhe peshkatarët e Nea Makrit që kanë kërkuar nga shteti grek t’i japë nënshtetësinë bashkatdhetarit tonë, Agim Cufe, si dhe dy emigrantëve egjiptianë.
Më herët, kryeministri kishte falënderuar publikisht peshkatarët dhe emigrantët.
“Peshkatarët e Nea Makrit, vendas dhe emigrantë, dhanë një betejë heroike gjatë tragjedisë duke shpëtuar jetë. Shteti e njeh vetmohimin e tyre. I falënderojmë”, shlruajti në Twitter Aleksis Tsipras.
Më poshtë, vijon i gjithë dialogu gjatë takimit të kryeministrit Tsipras në Mati (4 shtator), ku asistonin edhe tre emigrantët, dhe ku po ta ndjekësh videon me vëmendje, bën përshtypje modestia e bashkatdhetarit Agim Cufe, që siç mësojmë i tillë, pra modest, është dhe në jetën e përditshme. Përndryshe është nga njerëzit që i përkasin asaj kategorie që populli ynë thotë “fjalëpak e punëshumë”.
TSIPRAS: Kryetari i Shoqatës së Peshkatarëve të Nea Makrit do që të thotë dy fjalë. Para se të flasë ai, unë dua ta falënderoj, sepse vërtet i gjithë interesimi u fokusua në humbjen e jetëve njerëzore. Mirëpo kishim dhe disa njerëz që me vetëmohim shpëtuan dhjetra jetë. Mes tyre ishin edhe peshkatarët e Nea Makrit dua që ne si shtet këtë t’ua vlerësojmë. Dhe do ta vlerësojmë.
PESHKATARI: Konsiderojmë se ishte detyrimi ynë si qytetarë dhe si njerëz. Pse nesër mund të gjendemi ne në të njëjtën pozitë. Përtej kësaj, do të doja të them që të paktën në limanin e Nea Makrit, ishin tre emigrantë, dy egjiptianë dhe një shqiptar. Ata me iniciativën e tyre dhe me shumë përkushtim, ndihmuan, erdhën me ne duke rrezikuar jetën e tyre, u hodhën në ujë. Shpëtuan njerëzit duke notuar, i morën në krahët e tyre, fëmijë e pleq dhe i sollën në varkat. Pasur asnjë interes vetjak dhe asnjë detyrim. Mendojmë që këta njerëz duhet t’i vlerësojmë. Duhet të them se ata jetojnë prej më shumë se 22 vjetësh në Greqi, kështu që kanë të drejtë të marrin nënshtetësinë. Kërkojmë nga qeveria, nëse ka mundësi, t’u jepet nënshtetësia greke, sepse treguan që janë me të vërtetë bashkëqytetarët tanë.
TSIPRAS: Dua t’ju informoj se i kam dhënë udhër ministrit të brendshëm që të ndërmarrë procedurat sipas ligjit për shtetas të huaj që kanë një kontribut të veçantë në shoqëri. Sepse ne faktikisht i konsiderojmë këta njerëz si bashkëqytetarët tanë.
Sipas shtypit grek, që citon burime nga ministria e brendshme, dhënia e nënshtetësisë tre emigrantëve është çështje ditësh.