Verë ... dhe aspak surpriza
Juli NDRIKO
07 Korrik 2021
Duket se temperaturat e verës dhe hapja e vendit dhe e kufijve nuk e kanë ndihmuar aspak Shqipërinë tonë të lerë mënjanë çuditë e saj dhe të shijojë çka i ka falur natyra, dete të bukura, ujëra të paqta dhe ditë të ngrohta.
Fatos Tushe, kryebashkiaku i Lushnjes dhe 10 funksionarë të tjerë të Bashkisë Lushnje u arrestuan në Shqipëri sipas urdhër-arresteve të lëshuara nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK.
Dy kryepleq dhe dy inspektorë u arrestuan në Tropojë për shkak të zbulimit të parcelave me kanabis. Edhe kryeplaku i Peqinit u arrestua po dje pasi në Peqin u gjetën parcela që kultivonin kanabis. Një grua e re, nënë e 4 fëmijëve u dhunua nga njerëzit e bashkëshortit prej të cilit kërkon divorcin, megjithëse kishte urdhër mbrojtjeje; një 20 vjeçar vdiq në vendin e punës, ndoshta i pasiguruar dhe pa plotësimin e kushteve teknike që duhet ta kishin ruajtur nga aksidentet; një 32 vjeçareje në Korçë i dogjën makinën, ende nuk dihen arsyet; një avokat u dhunua duke i thyer këmbë e duar me shkopinj bejsbolli nga pala kundërshtare e çështjes që ai mbronte në gjykatë; një i ri në Lezhë shkon në spital me dënime të rënda nga dhuna e të dashurës, tre vite më e madhe; 4 të aksidentuarit me djegie të rëndë në Velipojë janë ende në gjendje të rëndë dhe në rrezik serioz për jetën….
Nuk janë ngjarjet e një viti, as të një periudhe a muaji. Janë të gjitha ngjarje të një dite në Shqipëri, numri i popullsisë së të cilës, sipas INSTAT është 2.829.741 banorë. Dhe nuk janë të vetmet. Çdo ditë kronikat raportojnë të njëjtat lajme, me të njëjtat objekte, përfshirë aksidentet, vrasjet dhe plagosjet që i munguan ditës së djeshme.
Cuo Vadis, (Ku po shkon) Shqipëri? Është një pyetje e zakonshme në këtë kohë.
Duket se temperaturat e verës dhe hapja e vendit dhe e kufijve nuk e kanë ndihmuar aspak Shqipërinë tonë të lerë mënjanë çuditë e saj dhe të shijojë çka i ka falur natyra, dete të bukura, ujëra të paqta dhe ditë të ngrohta.
Fillim korriku duket se ka shtuar fluksin e krimit me të njëjtin intensitet si fluksi i makinave rrugëve të Shqipërisë fundjavave drejt detit.
Por përtej këtyre, njerëzit kërkojnë të jetojnë. Gati më shumë se një vit pas pandemisë që goditi globin Shqipëria pret të rimarrë veten, të verë në lëvizje ekonominë dhe të aktivizojë politikën drejt qëllimeve të mira. Qytetarët mundohen të mbajnë gjallë shpresën edhe mes gjithë ngjarjeve që cenojnë besimin e tyre tek e nesërmja.
Pritet pak nga sezoni veror këtë verë.
Shqiptarët votuan dhe presin të kenë një parlament të plotë në Shtator. Nuk priten surpriza për vendimmarjen e PD mbi pjesëmarrjen në Parlament.
Partia Demokratike përmbylli procesin e zgjedhjes së kryetarit pa surpriza dhe Lulëzim Basha mund të “pushojë” i qetë me karrigen e sigurt të kreut opozitës.
Partia Socialiste zhvilloi mbledhjen e Asamblesë Socialiste dhe e vetmja gjë që mbahet mend prej saj është kërcënimi i Ramës se çdonjëri që luftoi për veten dhe jo për PS do të japë llogari, ndonëse ligji zgjedhor shqiptar mundëson që çdo votë kandidati të shkojë automatikisht për partinë, ndërsa e anasjellta jo.
Parlamenti Evropian shtyu për në Tetor procesin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, megjithëse këtë radhë fajin e kishin konfliktet për gjuhën me kësaj të fundit dhe Bullgarisë.
Gjykata Kushtetuese dhe ca vendime që gëzuan opozitën, por për shkak të ritmit të ulur të punëve politike nuk po bërtasin shumë.
Fituesit socialistë të zgjedhjeve mund të gëzojnë të qetë pushimet pasi ka kohë për kulisat ministrore deri në fundgusht.
Pra, stina verore e Shqipërisë nuk premton surpriza. Ashtu si nuk kishte asnjë surprizë as në rokadën lart e poshtë e poshtë e lart të drejtorëve të policisë që ndërruan qytetet por jo pozicionet dhe karakteret apo lidhjet e tyre me politikën nga njëra anë dhe me krimin nga ana tjetër.
Dhe unë nuk pres asnjë surprizë nga vizita që kam planifikuar të bëj këto kohë në Shqipëri. SPAK do vazhdoj të kap peshq të vegjël dhe të lërë të lirë ata që urdhërojnë të vegjlit të bëjnë tendera me fitues të paracaktuar, do të arrestoj kryepleq parcelash me kanabis për të lënë të lëvizin skafe dhe aeroplanë të mbushur me drogë që nuk kapen nga radarët, krimi do vazhdojë të jetë i njëjtë deri sa një ministër rendi, mbase një emër i ri, të premtoj sërish “luftë pa kompromis me krimin” dhe politika do shijoj pushime në tavolina ku bashkë me ngjalat do të zgjidhen rebuse të vështira mbi formulën e re të qeverisjes.
Duke mos pritur asnjë surprizë, vendosa të marr edhe unë ca pushime vere në rubrikën time për tu takuar sërish me ju në Shtator ku “ngjarje të mëdha’’ na presin. Nëse do më gejni diku, kjo do të thotë se ndonjë ngjarje do më ketë ngacmuar kaq shumë sa do më ketë detyruar të lë detin e të “zhgarravis” ca rreshta.
Gjithsesi deri atëherë, uroj pushime të bukura për secilin dhe do lutem që askush të mos jetë rastësor në ndonjë skenë krimi shqiptar, nga këto të përditshmet, të cilat i raportojnë kronikat e përditshme mediatike!
Mirupafshim në Shtator!
Ndaje me miqte