0030 210 33 18 483

Vdes Kostandini, ish mbreti i Greqisë

TV TRIBUNA 11 Janar 2023

Ish mbreti i Greqisë, Kostandini, është ndarë nga jeta në moshën 83 vjeç.

Ai po kurohej në spitalin privat Hygeia, pas një hemorragjie cerebrale.

I lindur në Athinë, në 2 qershor 1940, Kostandin Glaksburg u shpall mbret i Greqisë në 6 mars 1964, duke pasuar të jatin, mbretin Pavllo i Parë, që kishte vdekur po atë ditë.

Në shtator të po atij viti u martua me princeshën e Danimarkës, Ana Maria, me të cilën lindën 5 fëmijë, tre djem dhe dy vajza.

Përfundoi studimet në akademinë e oficerëve në vitin 1958. Në 1960, në Olimpiadën e Romës fitoi medalje ari në lundrimin me varkë me vela.

Në 15 korrik 1965 shkaktoi rrëzimin e qeverisë së Jorgos Papandreut, duke mos pranuar të drejtën e kryeministrit që të merrte personalisht edhe postin e ministrit të mbrojtjes.

Në vazhdoi emëroi disa qeveri jetëshkurtëra, ndërsa vendi kaloi një periudhë të gjatë destabilitetit, çka i hapi rrugë instalimit të juntës së kolonelëve në 21 prill 1967.

Në dhjetor 1967 Kostandini u përpoq të organizonte një lëvizje kundër juntës, por dështoi. U largua me gjithë familjen për në Romë dhe pastaj u vendos në Londër.

Në 1974, pas rrëzimit të juntës dhe vendosjes së demokracisë, u zhvillua referendumi i 8 dhjetorit, ku 69,18% e popullit votoi në favor të republikës presidenciale, duke i dhënë fund monarkisë në Greqi.

Pas humbjes së fronit, Kostandini pretendoi pasurinë e patundshme që përdorte familja mbretërore (pallati në Tatoiu, pallati Mon Repos në Korfuz, një sipërfaqe pylli në Larisa), dhe iu drejtua gjykatës europiane të drejtësisë.

Vendimi i gjykatës që doli në vitin 2002, e detyronte shtetin grek që t’i paguante ish mbretit në dëmshpërblim prej 13,7 milionë euro.

 

Do të varroset si individ

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i shprehu ngushëllimet familjes së Kostandinit.

“Me vdekjen e tij shkruhet tashmë, edhe në nivel njerëzor, fundi formal i një kapitulli që është mbyllur përfundimisht me referendumin e 1974-s. Fjalën tashmë e ka historia. Ajo do ta gjykojë me drejtësi dhe rreptësi Kostandinin e jetës publike. Sepse njeriun Kostandin e shoqëron tashmë trishtimi dhe respekti ndaj humbjes së vetë jetës. I drejtoj ngushëllimet e sinqerta familjes”, thuhet në mesazhin e kryeministrit.

Mëngjesin e së mërkurës në një mbledhje nën drejtimin e shefit të qeverisë u vendos që Kostandimni të varroset si individ në Tatoi, ku janë dhe varret e paraardhësve të tij.

Qeverinë do ta përfaqësojë në ceremoni ministrja e kulturës, ndërsa për personalitetet që pritet të vijnë nga jashtë, do të zbatohen gjithë procedurat që parashikon protokolli, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ndaje me miqte