0030 210 33 18 483

Ulen 50 % tarifat për lejet e qëndrimit

Robert Goro 04 Qershor 2018

Në parlamentin grek është depozituar këto ditë një amendament për uljen e tarifave të lejeve të qëndrimit.

Amendamenti, që pritet të votohet javën e ardhshme, redukton në mënyrë të ndjeshme tarifat për një sërë lejesh qëndrimi, duke favorizuar një numër mjaft të madh emigrantësh.

Bëhet fjalë për lejet e nxjerra sipas udhëzimeve europiane, për të cilat emigrantët në Greqi paguajnë shumë më tepër se në vendet e tjera të Unionit.

Këto janë: leja e rezidentit afatgjatë (epi makron), leja unike, karta blu, leje qëndrimi për bashkim familjar, për studime, dhe për kërkime. 

Lajmi u bë i ditur për TV Tribuna nga ndërmjetësi ndërkulturor Fatos Malaj. Sipas tij, pas miratimit të amendamentit, për këto lloj lejesh do të paguhet 50 - 62% më pak nga sa deri tani.

Pagesa për gjithë lejet europiane do të unifikohet dhe do të jetë 150 euro për çfarëdo lloj lejeje dhe pavarësisht afatit.

Qeveria greke e paraqiti amendamentin pas paralajmërimeve nga Komisioni Europian se Greqia do të mund të penalizohej për shkak se aplikon tarifa shumë të larta për lejet e qëndrimit europiane.

Në arsyetimin që shoqëron tekstin e amendamentit, thuhet ndër të tjera:

“Konsiderohet se shuma 400 euro për lejen e rezidentit afatgjatë, si dhe shumat që variojnë midis 150 – 450 euro për nxjerrjen e lejes unike, “kartës blu”, lejet e qëndrimit për bashkim familjar, studime apo kërkime, nuk respektojnë parimin e reciprocitetit dhe përbëjnë pengesë për ushtrimin e të drejtave përkatëse nga shtetasit e vendeve të treta”.

Nga ana tjetër, mbeten të pandryshuara tarifat për lejet kombëtare. Ndër këto leje përfshihen: ajo 10 vjeçare, leja për arsye të jashtëzakonshme dhe leja e qëndrimit e brezit të dytë.



Siguracioni për brezin e dytë

Një tjetër masë mjaft e favorshme lidhet me brezin e dytë të emigrantëve. Sipas ligjit ekzistues, pas moshës 18 vjeç, ai duhej të bënte siguracion privat që të merrte leje qëndrimi. Tashmë atë mund ta sigurojë njeri nga prindërit. 

“Fëmijtë e shtetasve të vendeve të treta që kanë mbushur moshën 18 vjeç, do të vazhdojnë të sigurohen nga njeri prej prindërve, kur të rinovojnë lejen e qëndrimit, qoftë për studime, qoftë si brezi i dytë apo leje autonome, përderisa plotësojnë kushtet ngjashëm siç veprohet edhe për shtetasit grekë. Në rast se prindi ka humbur siguracionin për shkak të krizës ekonomike, atëherë do të zbatohen dispozitat e nenit 31 paragrafi 3 të ligjit 4452/2017”.

Kujtojmë se neni në fjalë përcakton që personat e prekur nga kriza përfitojnë siguracion të plotë (falas) mjekësor dhe farmaceutik.

Ndaje me miqte