Uashingtoni: Është e pabesueshme që Kosova injoron këshillat tona
12 Shkurt 2019
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett u dorëzoi të martën udhëheqësve të Kosovës një letër të nënshkruar nga tre zyrtarë të lartë amerikanë që paralajmërojnë masa të reja ndaj Kosovës nëse ajo nuk pezullon tarifat ndaj mallrave serbe.
Në letrën e nënshkruar nga Matthew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Laura Cooper, zëvendës ndihmëse e sekretarit të Mbrojtjes dhe John Erath, zëvendës drejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, shprehet keqardhja për refuzimin e deritashëm të Kosovës për të dëgjuar këshillat amerikane.
Ne letër citohet presidenti Donald Trump i ciili në dhjetor të vitit të kaluar u shkroi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se ky është momenti i mundësisë së Kosovës, që duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë të ndërmarr një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimeve euro-atlantike si dhe të përparojë si një vend i qëndrueshëm, përparimtar e i sigurt.
"Që atëherë ne kemi shprehur shqetësimet tona që veprime të caktuara, përfshirë këtu vendosjen e taksës ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake, do të mund të rrezikojnë këtë qëllim. Këto veprime minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me ju në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta".
Në letër theksohet se meqë kërkesat për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, "kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë. Fillimisht, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit(Timothy) Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqendrohej në bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë. Duke pasur parasysh veprimet e padobishme të qeverisë tuaj, do të ishte e pavend që një vizitë e tillë të ndodhte. Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse ato do të shkurtohen".
Në letër theksohet se "Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikanë dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona".
Të tre zyrtarët theksojnë në letër se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, "e cila do të përqendrohej në njohje të ndërsjellë, gjë që do të ishte e zbatueshme, e qëndrueshme dhe në dobi të të dyja palëve. Në njëzet vitet e fundit, ky ka qenë një qëllim i paarritshëm. Edhe pse ende e vështirë, është një rrugë që duhet ndërmarrë, në mënyrë që të arrijmë një të ardhme të sigurisë dhe përparimit. Qëllimi ynë është që të shohim Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’u kthehen bisedimeve. Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i tarifave. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju", thuhet në letër.
Ndaje me miqte