Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka reaguar pas ceremonisë mortore të Kostandinos Katsifas.
Në një intervistë në televizionin Alfa, Tsipras tha se ajo që ndodhi në 28 tetor ishte një ngjarje e rëndë. Ai tha se Greqia ka bërë gjënë e duhur që ditën kur ndodhi ngjarje.
Tsipras u shpreh se pala shqiptare i ka premtuar për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa thotë se dialogu duhet të vazhdojë për të drejtat e minoritetit.
“Sot është një ditë zie për familjen Katsifa dhe minoritetin. Hidhërimi dhe zemërimi i tyre është i përligjur. Dhe nuk dua të debatoj për këtë. Greqia bëri që nga momenti i parë atë që duhej të bënte. Do të na jepet një raport i plotë për shkaqet e kësaj ngjarjeje shumë të padëshirueshme. Kjo ngjarje na ka bërë të harrojmë se në Bularat atë ditë kishim varrimin e eshtrave të heronjve tanë të rënë në Shqipëri, me praninë e Ministres greke të Kulturës. Duhet të avancojmë në hapa të tjerë, kështu që t’i jepen minoritetit në Shqipëri gjithë sa i takojnë”, tha Tsipras në përgjigje të pyetjes së gazetarit që e intervistoi.