"Vendi po vazhdon me hap të qëndrueshëm drejt daljes nga kriza shumëvjeçare dhe mbikëqyrjen mbytëse dhe kanë mbetur metrat e fundit të këtij udhëtimi”. Kështu ka theksuar kryeministri grek, Aleksis Tsipras gjatë fjalës në debatin parlamentar për ekonominë, që ka kërkuar kreu i Lëvizjes për Ndryshim, Fofi Gennimata.
“Faktikisht, një pjesë e mirë e këtij itinerari u krye me marrëveshjen teknike për vlerësimin e katërt brenda grafikut dhe pa absolutisht asnjë masë tjetër rënduese”, tha kryeministri.
“Në gusht 2018, memorandumet do t’i përkasin përfundimisht të kaluarës”, deklaroi më tej Tsipras. Kryeministri garantoi se javët e ardhshme do të konkludojnë diskutimet për dy nga çështjet e hapura të negociatave, domethënë, konkretizimi i masave për rregullimin e borxhit grek dhe regjimi i mbikëqyrjes për periudhën pas daljes nga programi.
“Greqia sot ka një ekonomi që ecën me ritme esenciale zhvillimi, që pritet të tejkalojnë 2 për qindshin vitet e ardhshme. Po mbyll plagën e papunësisë, e cila në tre vjet është ulur shtatë njësi, përmes krijimit të më shumë se 350.000 vendeve të reja të punës, ndërsa të njëjtin moment puna e padeklaruar ka rënë nga 19% në 13%”, theksoi kryeministri.
“Gjithashtu, 2017-a u mbyll me një super performancë fiskale, siç ndodhi edhe në 2015 dhe 2016”, shtoi. “Dhe kështu arritëm të japim dy vjet rresht dividentet sociale që prekin shifrën 2 miliardë euro. Dhe kemi çdo arsye të konsiderojmë se njëlloj do të arrijmë të bëjmë edhe në 2018-n, mbi bazën e parashikimeve fiskale”.