Tsipras: Greqia qëndron në këmbët e veta, pas vitesh shtrëngese dhe recesioni
Tribuna TV
26 Shtator 2018
“Vendi im ka kthyer faqe tashmë. Ditët e këqija kanë mbaruar. Mirëpo sfidat mbeten në një botë që ndryshon vazhdimisht”, ka theksuar kryeministri grek gjatë fjalës së tij në samitin vjetor të Fondacionit Concordia në Nju Jork.
Tsipras nënvizoi se “qeveria ime dhe unë jemi të vendosur të punojmë me miqtë dhe aleatët tanë për të përballuar sfidat që ndodhen përpara nesh” dhe dërgoi mesazhin lidhur me perspektivat dhe kapacitetet e Greqisë.
Kryeministri grek theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-të dhe apeloi për një mbështetje të mëtejshme ndaj ekonomisë greke në këtë epokë të re, përmes investimeve të reja fitimprurëse, çka sipas tij do të forcojë më shumë rolin gjeostrategjik të Greqisë në rajon.
Tsipras vuri në dukje se Greqia “është fuqi lider në Ballkan dhe roli i saj historik është që të ndërmarrë aksione për ta drejtuar gjithë rajonin në një epokë bashkëpunimi, stabiliteti dhe prosperiteti. “Mosmarrëveshja jonë me FYROM po i afrohet fundit. Me respekt ndaj historisë tonë, me respekt ndaj popujve tanë”, nënvizoi.
Duke iu drejtuar brezit të ri, dhe në veçanti grekëve që janë larguar nga vendi për shkak të krizës, Tsipras tha se ata nuk janë të dënuar, por janë pjesa më e rëndësishme e një vendi “i cili tashmë qëndron në këmbët e veta”, dhe shtoi se e ardhmja e Greqisë duhet t’u besohet atyre që guxojnë dhe kanë vizion.
“Jam krenar që mund t’u them gjithë pjesëtarëve të brezit të ri që është larguar nga vendi, se gjërat po ndryshojnë. Nuk jeni të dënuar, jeni pasuria më e çmuar e një vendi që tashmë qëndron në këmbët e veta. Pas vitesh shtrëngese, recesioni dhe sidomos dëshpërimi kolektiv. Mirëpo tani ka ardhur momenti që ta besojmë të ardhmen e atdheut tonë tek ata që guxojnë të ëndërrojnë. Do të bej çfarë kam në dorë që të garantoj se ky brez nuk do të përfundojë si ‘brez i humbur’, por si nismëtarë të një epoke të re për Greqinë”.
Ndaje me miqte