Falë vaksinave anti Covid Greqia vlerësohet se ka evituar 8.400 vdekje dhe 5.560 shtrime në repartet e trajtimit intensiv, deklaroi profesori Sotiris Tsiodras, duke iu referuar një studimi të kryer në spitalet e mëdha të vendit për antitrupat dhe imunitetin e personave të vaksinuar dhe atyre që kanë kaluar sëmundjen.
Tsiodras nënvizoi se sa më shumë që shtohet numri i vaksinimeve paraqiten infeksione dhe te personat e vaksinuar. Sipas tij, kjo nuk do të thotë se vaksina nuk funksionon dhe se nuk ka rezultat. Rreziku që të infektohen personat e vaksinuar është 11 herë më i ulët në rapor me të pavaksinuarit, theksoi Tsiodras.
Profesor Tsiodras shtoi se po të qe vaksinuar 95% e popullsisë deri në mesin e korrikut, në Greqi do të kishte 1.200 vdekje më pak.