Kryeministri Edi Rama e ka shpallur të dielën, 5 mars, si ditë zie kombëtare për tragjedinë e 28 shkurtit në Greqi.
Dje parlamenti shqiptar mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave të ngjarjes tragjike.
Sipas mediave, në trenin e katastrofës kishte edhe qytetarë shqiptarë, pesë prej të cilëve konsideroheshin të zhdukur dhe pesë të tjerë janë plagosur.
Në Athinë, ministria e jashtme ka shprehur falënderimet ndaj Tiranës zyrtare.
“Shprehim mirënjohjen tonë për vendimin që të shpallet e diela si ditë zie kombëtare në nderim të viktimave që humbën në mënyrë tragjike jetën nga përplasja e trenit në Tempi”, thuhet në mesazhin e MPJ greke.
“Falënderojmë fqinjët tanë dhe personalisht kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama që ndanë dhimbjen tonë, jemi thellësisht të prekur”, përfundon mesazhi i Ministrisë së Jashtme greke.