Thethi, destinacioni që tërheq turistët edhe në vjeshtë
ATSH
09 Nentor 2021
TIRANË 9 nëntor /ATSH-I.Vata/ Alpet shqiptare ofrojnë pamje të mahnitshme për syrin e vizitorëve, por vjeshta me mantelin e ngjyrave që ka mbuluar Thethin e bënë peizazhin një kryevepër të natyrës.
“Parku Kombëtar “Thethi”, vendi ku merr frymë dhe mbetesh pa frymë”, njofton Administrata e Zonave të Mbrojtura, Shkodër ndërsa ka postuar dhe një fotogaleri mahnitëse të vjeshtës në Theth.
Ngjyrat e ngrohta të vjeshtës, të kuqërremta, në të verdha dhe në një pjesë të ahur në vishnje të fortë dhe alpet në gri të shkrirë në blu drejt qiellit, e bën Thethin në këtë stinë një nga atraksione më interesante për t’u vizituar.
Thethi është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve në të gjitha stinët, por në vjeshtë ai është thjeshtë magjik, me pamje të pa hasura, që rrallë të gjenden në një vend tjetër.
Rrugëtimi më komod është aksi Shkodër- Malësi e Madhe-Bogë-Qafë-Thore-Theth, ku ja vlen të kalohet për pamjet e mahnitshme që të ndesh syri. Nga Shkodra do të kaloni në territorin e bashkisë Malësi e Madhe, do të vizitoni fshatin piktoresk të Bogës.
Thethi është magji turistike sepse është tabloja më e bukur natyrore, ku vijat e telajos ngjiten dhe zbresin duke krijuar thyerjet më fantastike të peizazhit e pastaj zbresin si në një kupë në rrafshnajën e Thethit duke krijuar një shtrojë të gjelbër ku janë ngulur kullat shekullore, ashtu të ngurta prej guri që hahen me malet.
Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar në të gjitha stinët, por në vjeshtë me ngjyrat e hedhura nga vetë natyra është jo vetëm i rrallë, por kryevepër e natyrës.
Ndaje me miqte