Tensione të larta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë
Zëri i Amerikës
26 Nentor 2018
Rusia hapi zjarr ndaj dy anijeve të marinës ukrainase dhe goditi një tjetër të dielën në Detin e Zi dhe kapi anijet, duke pretenduar se ato hynë në mënyrë të paligjshme në ujërat e saj territoriale.
Zyrtarët ukrainas thanë se të paktën gjashtë marinarë të saj janë plagosur, ndërsa mohoi pretendimet e Rusisë duke e akuzuar atë për përfshirje në agresion ushtarak.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se “veprimet e tilla paraqesin rrezik për sigurinë e të gjitha vendeve të Detit të Zi dhe së këndejmi kërkojnë një përgjigje të qartë të komunitetit ndërkombëtarë”.
Shërbimi Federal rus i Sigurisë, (FSB) akuzoi Ukrainën për provokim të qëllimshëm.
"Armët u përdorën për të ndaluar me forcë anijet ushtarake ukrainase. Për rrjedhojë, të tri anijet e marinës ukrainase janë kapur në ujërat territoriale ruse në Detin e Zi”, thuhet në një deklaratë të FSB-së.
Incidenti i së dielës filloi kur një rimorkiator ukrainas po shoqëronte dy anije të marinës nga porti i Odessas në Detin e Zi për në portin ukrainas në Mariopol, në Detin Azov nëpërmjet ngushticës Kerç.
Ngushtica Kerç, është kalimi i vetëm ndërmjet dy deteve.
Një traktat i viti 2003, i përcakton Detin Azov dhe ngushticën Kerç, si ujëra të përbashkëta territoriale.
Ukraina tha se roja bregdetare ruse goditi dhe dëmtoi rimorkiatorin dhe qëlloi mbi dy anijet dhe i bllokoi ato.
Ukraina tha se Rusia përdori një tanker për të mbyllur ngushticën.
Rusia tha se anijet ukrainase shkelën në ujërat e saj territoriale dhe akuzoi Ukrainës se nuk e ka informuar që anijet po planifikonin të lundronin nëpërmjet ngushticës – pohime këto që u hodhën poshtë nga Ukraina.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, mbajti një takim emergjent të kabinetit të dielën dhe tha se do t’i propozojë parlamentit shpalljen e ligjit të luftës.
Një takim emergjent i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbahet të hënën pasdite sipas kohës së Evropës qendrore, tha ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.
Më herët gjatë këtij viti, administrata e presidentit Donald Trump i kërkoi Rusisë që t’ jap fund pengimit të anijeve ndërkombëtare në Detin Azov dhe ngushtivën Kerç, që synon dobësimin e ekonomisë së Ukrainës.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar që kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë dhe nxiti një konflikt separatist pro-rus në Ukrainën lindore në vitin 2014.
NATO-ja tha se po e ndjek nga afër zhvillimet dhe bëri thirrje për përmbajtje dhe shtendosje të situatës.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu tha se “NATO-ja mbështet fuqishëm sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës, përfshirë edhe të drejtën e saj për të lundruar në ujerat territoriale. I bëjmë thirrje Rusisë që të sigurojë qasje të papenguar në portet ukrainase në Detin Azov, në pajtim më ligjin ndërkombëtarë”, shkroi ajo.
Bashkimi Evropian tha se pret që Rusia të rivendosë kalimin e lirë në ngushticën Kerç, ndërsa u bën thirrje të dyja palëve që të veprojnë me vetëpërmbajtje dhe të shtendosin menjëherë situatën.
Në një komunikatë të zyrës së shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ajo citohet të ketë thënë më herët në Parlamentin Evropian se zhvillimet në Detin Azov janë dëshmi se si jostabiliteti dhe tensionet rriten kur nuk respektohen rregullat themelore të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në reagim ritheksohet qëndrimi se Bashkimi Europian nuk e ka njohur dhe nuk do ta njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Ndaje me miqte