Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Athinë, është sulmuar në orët e para të së hënës, nga pjesëtarë të grupimit anarkist “Rubikoni”.
Sulmi, që u shënua në orën 03,30, u krye në hyrje të parkingut të ambasadës, që ruhet nga personeli i sigurisë i përfaqësisë diplomatike amerikane.
Anarkistët hodhën drejt mureve dhe dyerve shishe e tollumbace të mbushura me bojë të kuqe.
Anarkistët i hodhën ato në të njëjtën kohë dhe u larguan.
Menjëherë forcat e policisë që ndodhen të dislokuara rreth ambasadës, filluan ndjekjen dhe tetë persona janë shoqëruar në polici si të dyshuar.
Anarkistët publikuan paraditen e të hënës një komunikatë, ku shpjegojnë se sulmi u krye si reagim ndaj politikës së SHBA-ve në Siri, dhe në rajonin e Ballkanit.
Ambasada e SHBA është objekti që ruhet më mirë në Athinë.
Në vitet 1996 dhe 2007, godina e ambasadës ishte goditur me predha. Nga goditjet ishin shkaktuar vetëm dëme materiale.