Subvencionimet sociale, kushte të reja për emigrantët dhe deklaratat diskriminuese...
Robert GORO
26 Tetor 2019
Qeveria greke do të riplanizojë gjithë subvencionimet dhe kompensimet sociale që jepen kryesisht për shtresat në nevojë.
Lajmi është bërë i ditur sot nga zëvendësministrja e punës, DomnaMihailidou.
Ajo ka saktësuar se 90% përfituesve të këtyre subvencionimeve janë grekë.
Por zëvendësministrja ka folur edhe për shtetasit e vendeve të treta që ndodhen në Greqi.
Ajo ka paralajmëruar se po shqyrtohet rritja e kohës së qëndrimit të ligjshëm, si kusht që të përfitojnë edhe ata disa nga subvencionimet.
“Për qytetarët nga vendet e treta, që banojnë në Greqi, punojnë në mënyrë të ligjshme, paguajnë kontributet për sigurime shoqërore, paguajnë taksat dhe kanë një adresë të përhershme në Greqi, po shqyrtohet që të rritet koha e qëndrimit të ligjshëm, nga pesë, në dhjetë vjet. Kështu që të garantohet se për një sërë vitesh ata mund të kontribuojnë në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe sistemin tatimor të vendit””, tha zonja Mihalidou dhe shtoi:
“Pra, të dëshmojnë që ashtu siç marrin nga kontributet dhe përpjekjet e bashkëqyetarëve grekë, kështu edhe japin”.
Këtu zëvendësministrja ka bërë një faull të rëndë.
Dashur pa dashur, ka mbajtur ison e atyre zërave kryesisht nga ekstremi i djathtë, që tash 30 vjet bërtasin se emigrantët përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga sakrificat e grekëve, marrin punët e grekëve, e kështu me radhë.
Në fakt, secili prej jush e di shumë mirë që e vërteta qëndron krejt ndryshe. Dhe emigrantët kontribuojnë në sigurimet shoqërore dhe tatimet greke, të paktën që nga viti 1998, pra që atëherë kur nisën të legalizohen.
Na duket e çuditshme që zëvendësministrja e punës mos ta dijë që emigrantët kërkohet të përmbushin një sërë kushtesh, me qëllim që të rinovojnë lejen e qëndrimit. Duhet që çdo vit të deklarojnë të ardhurat e tyre – të ardhura që shtohen me 10-15% për çdo fëmijë që kanë në ngarkim, si dhe të dhe të paguajnë tatimin që iu takon.
Po kështu, nuk mund të rinovosh lejen e qëndrimit nëse nuk ke një numër të caktuar ensimash. Dhe këto ensima, në 10-15 vitet e para shumica dërrmuese emigrantëve i paguanin nga xhepi, pasi punëdhënësi nuk ua ngjiste ensimat, gjë që e kishte detyrim. Siç e kishim përllogaritur para ca muajsh, bëheshin gjithësej rreth 6 miliardë euro, që shqiptarët në Greqi kanë paguar NGA XHEPI, vetëm për sigurimet shoqërore.
Pra, që ta lidhim me fjalët e zëvendësministres, shqiptarët kanë marrë me pikatore dhe kane dhënë me kova për sigurimet shoqërore...
Një ndarje e tillë e emigrantëve nga vendasit, është e gabuar, qoftë në pikëpamje ideologjike, për një qeveri të qendrës së djathtë. Por edhe në pikëpamje praktike, siç e pamë me kontributet që shqiptarët kanë paguar ndër vite.
Por e gjithë kjo çështje ka dhe një aspekt teknik. Çfarë do të ndodhë me ata bashkatdhetarë që presin me veveosin në dorë nga dy e tre vjet? Këto do t’iu llogariten si periudhë qëndrimi të ligjshëm, kur t’iu kërkohet dhjetëvjeçari, apo do të shkojnë dëm.
Sepse ka një kategori, e cila aktualisht nuk i përfiton kompensimet nëse është me veveosi për leje fillestare qëndrimi. Dhe e kam fjalën për ata që ndërrojnë lejen e qëndrimit, për shkak se një nga bashkëshortet ka marrë nënshtetësi greke dhe gjysma tjetër e tij duhet të marrë leje qëndrimi si bashkëshort i qytetarit grek. Nga dy e më shumë vite presin me këtë veveosi, dhjetra e qindra, siç na rezulton nga vetë pohimet e tyre pranë televizionit Tribuna.
Kush e ka fajin për këtë pritje kaq të gjatë? Natyrisht i vetmi që nuk ka asnjë faj është emigranti. E megjithatë, ai paguan dyfish e trefish, po të llogaritim edhe mospërfitimin e atij kompensimit që i pranon.
Pa dashur t’i jap mend askujt, e aq më pak qeverisë, do të them megjithatë, se është për të ardhura keq që pas gati 30 vjetësh qëndrimi në Greqi, që shumica e kanë zgjedhur tashmë jo thjesht si atdhe të dytë, por si vendin ku ndoshta dhe do të vdesin në pleqëri të thellë; është për të ardhur keq pra, që të diskreditohen në këtë farë feje. Duke u injoruar kontributet e mëdha që kanë dhënë bashkë me grekët, njëlloj si grekët.