Sot pasdite protesta e opozitës para Kryeministrisë, 1500 forca policie në terren
DOSJA.AL
13 Prill 2019
Ditën e sotme në orën 18:00 pritet të nisë protesta e rradhës e opozitës së bashkuar e cila është e teta në numër. Ndryshe nga herët e tjera kjo protestë do të fillojë afër mbrëmjes edhe ende nuk dihet skenari i saj dhe se kur do të përfundojë. Pritet që qytetarë nga rrethet të marrin pjesë në protestën e sotme, e cila do të zhvillohet para godinës Kryeministrisë. Disa autobusë me protestues nga rrethet janë nisur drejt Tiranës që në mëngjes.
Mësohet se rreth 1500 forca policie do të jenë në terren, ku nuk do të mungojë edhe garda e Republikës. Po ashtu në gatishmëri do të jenë dhe autobotet me ujë, gazi lotjsellës dhe do të ketë edhe rrethim me gardhe prej hekuri. Një ditë më parë janë pastruar kamerat e sigurisë, për të pasur një fokusim të qartë. Shtyllat rreth Kryeministrisë janë lyer me graso, ndërsa është vendosur edhe mbrojtësja te dera e jashtme e Kryeministrisë.
Pjesë e masave të policisë pritet që të jetë edhe bllokimi i qarkullimit në rrugën ‘Ismail Qemali’, ‘Ibrahim Rugova’, rrugët që lidhin bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit, nga ministria e Brendshme deri tek Presidenca. Në këto rrrugë do të ndalohet edhe parkimi i mjeteve.
Një ditë më parë kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi: “Të shtunën, në orën 18:00, të gjithë në Tiranë! Për standarte të vërteta, për mirëqenie për çdo shqiptar, për shtëpine tonë, për fëmijët tanë, për Shqipërinë si gjithë Europa”, u shpreh Basha. Ndërsa ish-deputeti i PD-së Flamur Noka në “News 24” u shpreh se zemërimi popullor kundër Kryeminsitrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ka arritur pikën e vlimit dhe për pasojë do të ketë surpriza të mëdha.
Për protestën e sotme nuk ka munguar edhe një reagim i ambasadës amerikane, e cila i bën thirrje personelit të saj që të evitojë kalimin në zonat ku mund të protestohet, duke pasur parasysh se herët e kaluara është përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
www.dosja.al
Ndaje me miqte