0030 210 33 18 483

Sondazhi, çfarë mendojnë grekët për shqiptarët dhe Shqipërinë

TV TRIBUNA 26 Qershor 2024

Opinioni publik grek ka ngarkesë negative sa u përket çështjeve politike midis Greqisë e Shqipërisë, por paraqet një përmirësim të dukshëm për marrëdhëniet ekonomike e shoqërore midis të dy vendeve, midis grekëve e shqiptarëve. Gjithashtu, konsideratat pozitive dominojnë edhe për imazhin e shqiptarëve në Greqi.

Këto janë rezultatet e një sondazhi që u prezantuan në Athinë nga pedagogët Joanis Armakolas, drejtor i programit të Europës Juglindore në ELIAMEP, (fondacioni grek për politikën e jashtme dhe europiane) dhe Jorgos Siakas, drejtor i degës së sondazheve të opinionit publik në Universitetin Maqedonia.

Sondazhi u krye në periudhën 15-21 prill 2024, dhe u anketuan 1165 persona, të moshës 17 vjeç e lart.

Krahasuar me sondazhet e mëparshme, ky i tanishmi tregon se Sondazhi tregon se ka një përmirësim të imazhit të Shqipërisë në Greqi.

Më konkretisht:

Qëndrimet për Shqipërinë në përgjithësi:

Gjykimet pozitive ndaj Shqipërisë u rritën në 19.5%, nga 15.5% në 2019. Por gjykimet neutrale dhe negative mbeten shumë më të larta: 42% neutrale dhe 37.5% negative.

Perceptimet e marrëdhënieve dypalëshe:

Përqindja e atyre që i konsiderojnë marrëdhëniet si të këqija u rrit në 23%, nga 18% në 2019. Përqindja e atyre që i konsiderojnë marrëdhëniet të mira u ul në përputhje me rrethanat. Pjesa më e madhe, 48%, i konsideron marrëdhëniet dypalëshe si neutrale (as të mira e as të këqija).

Megjithatë, përqindje të larta kanë opinionet që e konsiderojnë të rëndësishme për Greqinë të mbajë marrëdhënie të mira me Shqipërinë:

Pothuajse një në dy veta (46.5%) e konsiderojnë shumë të rëndësishme pasjen e marrëdhënieve të mira, ndërsa një në tre (33%) e konsiderojnë një lloj të rëndësishme.

Vetëm një në pesë (20%) e konsideron pak ose aspak të rëndësishme që Greqia të ketë marrëdhënie të mira me Shqipërinë.

Qëndrimet për çështjen Çame:

Informacioni për çështjen Çame ka rënë, nga 58.5% në 2019 në 47.5% në 2024.

Në mesin e atyre që kanë disa informacione relevante, vërehet një rënie e qartë e përqindjes së atyre që e konsiderojnë çështjen Çame si pengesë në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Përqindja e atyre që e konsiderojnë këtë çështje një pengesë ra nga 68.5% në 2019 në 55% në 2024.

Qëndrimet për çështjen e respektimit të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri:

Ashtu si në sondazhet e mëparshme, shumica e të anketuarve konsiderojnë se qeveria shqiptare nuk respekton të drejtat e minoritetit grek në Shqipëria.

Më konkretisht, 7 nga 10 të anketuar (70%) nuk konsiderojnë se të drejtat respektohen.

Në sondazhin e vitit 2019 përqindja ishte më e lartë, në 78%.

Qëndrimet për çështjet e Vorio Epirit:

Gjithashtu ka një ulje të informacionit për temën e Vorio Epirit: nga 40% në 2019 në 33.5% në 2024. Informacioni është veçanërisht i ulët në grupmoshën 17-34 vjeç, ndërsa është dukshëm më i lartë në grupmoshën 55+ dhe midis të anketuarit të cilët identifikojnë veten si të djathtë ose të qendrës së djathtë.

Gjithashtu ka pasur rritje margjinale në përqindjen e atyre që e konsiderojnë çështjen pjesë të historisë greke (38 %) dhe Epiri i Veriut është vetëm pjesë e territorit shqiptar (13%).

 

MARRËDHËNIET SOCIALE DHE EKONOMIKE: PËRMIRËSIM TË RËNDËSISHËM

Opinioni për shqiptarët:

Ka një rritje prej 10% qind të qëndrimeve pozitive ndaj shqiptarëve në përgjithësi. 57% kanë një opinion pozitiv, ndërsa në vitin 2019 përqindja ishte 47.5%. Qëndrimet negative tani janë vetëm në 6.5%.

Emigracioni shqiptar dhe zhvillimi ekonomik i Greqisë:

Më shumë se 3 nga 4 të anketuar (77.5%) konsiderojnë se emigrantët shqiptarë kontribuan në zhvillimin ekonomik të Greqisë.

Shifra është 13% më e lartë se në vitin 2019. Gjykimet pozitive shtrihen në të gjitha grupet demografike në anketë.

Emigrantët shqiptarë si një kërcënim potencial për Greqinë:

Më shumë se 8 nga 10 të anketuar (82.5%) kundërshtojnë pikëpamjen se emigrantët shqiptarë janë një kërcënim për Greqinë.

Përqindja përkatëse në anketën e 2019 ishte 74%. Pikëpamja se emigrantët shqiptarë nuk janë kërcënim shtrihet në të gjitha grupet demografike në anketë.

Integrimi i fëmijëve emigrantë shqiptarë në shoqërinë greke:

Pothuajse 9 nga 10 të anketuar (87.5%) konsiderojnë se fëmijët e emigrantëve shqiptarë janë plotësisht të integruar në shoqërinë greke. Opinioni i këtij subjekti shtrihet në të gjitha grupet demografike të anketës.

 

Cili vend ka përfituar nga marrëdhëniet ekonomike dypalëshe:

Ka një rritje të konsiderueshme në përqindjen e të anketuarve që shohin përfitime ekonomike reciproke për të dyja vendet nga marrëdhëniet ekonomike që janë zhvilluar gjatë tre dekadave të fundit.

Në vitin 2024 kjo përqindje është 53%, ndërsa në sondazhin e 2019 ishte 34%. Kjo është një rritje prej 19 pikë përqindjeje në pikëpamjen se të dy vendet kanë përfituar.

Në sondazhet e mëparshme, kishte një perceptim të përhapur se Shqipëria përfitoi më shumë se Greqia.

Mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE:

Përqindja e atyre që mbështesin personalisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE ka rënë me 4.5% në 47.5%. Të anketuarit me një nivel arsimor më të lartë, moshat më të reja si dhe ata që e klasifikojnë veten si të qendrës së majtë, janë dukshëm më pozitivë për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Vlerësimi i kohës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE:

Më shumë se gjysma e të anketuarve (53%) besojnë se Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së deri në dhjetë vjet - më konkretisht 15.5% "e shohin" anëtarësimin në 1-5 vjet dhe 37.5% pas 5-10 vjetësh. Vetëm rreth 1 në 10 (11.5%) mendojnë se Shqipëria nuk do të anëtarësohet kurrë në BE.

Ndaje me miqte