Situata e vështirë ekonomike, Neranxi: "Të ulet çmimi i energjisë"?. Thirrje bizneseve për ta mbështetur
TV TRIBUNA
31 Tetor 2019
Situata ekonomike në Shqipëri po shkon çdo vit duke u përkeqësuar. Konstatimi është bërë nga biznesmeni i njohur Nikollaq Neranxi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë. Sipas tij, “rënia e konsumit dhe politikat fiskale masakruese te pushtetit socialist, kanë sjellë një kolaps ekonomik të paparë as në ditët më të këqija të këtij vendi, madje as në 97-ën...”.
Në këto kushte Shoqata ka përgatitur një plan masash për daljen nga gjendja e vështirë, ku masa e parë është kërkesa e uljes së çmimit të energjisë elektrike për biznesin.
Në një letër drejtuar Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE), Shoqata argumenton që ndërsa në gjithë botën e përparuar çmimi i energjisë për biznesin është më i lirë se sa për familjet, në Shqipëri ndodh e kundërta. Dhe kjo në kohën që biznesi është i vetmi “transfuzion” për ekonominë kombëtare, nëpërmjet krijimit të vendeve të punës dhe pagesës së taksa-tatimeve që inkason arka e shtetit.
Krahas letër-kërkesës drejtuar ERE-s, Neranxi, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, u ka drejtuar një letër publike gjithë kryetarëve të shoqatave të biznesit dhe dhomave të tregtisë, ku i fton t’i bashkohen kësaj nisme.
Për ne që jetojmë në një vend të Bashkimit Europian, iniciative të tilla janë mjaft të rëndësishme, pasi ne jemi vetë dëshmitarë se si unionet e biznesit në Greqi, duke qenë njëkohësisht oponentë dhe bashkëpunues me qeverinë, kanë gjetur zgjidhje për mjaft prej problemeve akute të këtij komuniteti.
Urojmë që e njëjta gjë të bëhet në Shqipëri.
Më poshtë vijon letra publike e Neranxit, si dhe letër kërkesa drejtuar ERE-s.
Të nderuar Kryetarë të Shoqatave të biznesit, konfederata apo dhoma tregtie!
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, po ndjek me shqetësim situatën ekonomike e cila shkon çdo vit ne përkeqësim! Bizneset gjithashtu po përjetojnë ditë të vështira! Shumë biznese kanë falimentuar edhe pse kishin rreth dy dekada në treg! Rënia e konsumit dhe politikat fiskale masakruese te pushtetit socialist, kanë sjellë një kolaps ekonomik të paparë as në ditët më të këqija të këtij vendi, madje as në 97-ën! Në këto kushte, ne si shoqatë kemi hartuar një plan se si të dalin nga kjo gjendje dhe të shpëtojmë aktivitetet e mbetura që po mbahen me shumë sakrifica. Masa e parë është kërkesa qe i kemi bere ERE për uljen e çmimit të energjisë dhe gazit dhe për përmirësimin e shërbimit. Letrën e keni më poshtë. Nëse edhe ju jeni dakord, ju ftoj t’i bashkoheni kësaj nisme dhe të bëni të njëjtën gjë! Faleminderit!
Kërkesë
Drejtuar Entit Rregullator të Energjisë (ERE)
Të nderuar anëtarë të Bordit të Komisionerëve të ERE. Ju shkruajmë në emër të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë. Kjo shoqatë është regjistruar në Gjykatë që në vitin 1998 dhe që atëherë ushtron veprimtarinë e saj, në mbrojtje të interesave të tregtarëve të vegjël, të mesëm si dhe të biznesit të madh.
Shoqata ka veprimtari të zgjeruar në të gjithë vendin dhe në anëtarësinë e saj prej 12000 vetash, ka tregtarë të vegjël dhe të mëdhenj. Shoqata gëzon dhe disponon tagrat ligjorë për të qenë subjekt që studion dhe ndjek në vazhdimësi politikat sociale, edukuese dhe ndëshkuese që merr shteti apo edhe sipërmarrjet private në drejtim të tyre si dhe në cënim të interesave të tyre. Legjitimimi mbështetet në nenin 46 të Kushtetutës.
Ju bëjmë me dije se nga ankesat dhe problemet e shumta që kanë ngritur anëtarët tanë të Shoqatës në rreth 4 vitet e fundit, ai që spikat më së shumti ka të bëjë me çmimin e lartë të energjisë elektrike dhe gazit. Ndërkohë që në çdo vend të përparuar të botës, çmimi i energjisë elektrike apo gazit është më i ulët për bizneset, se sa për familjarët, tek ne është e kundërta. Kjo ka bërë që gjatë këtyre viteve ku çmimi i energjisë është rritur, shumë biznese kanë falimentuar duke mos përballuar faturat e kripura të energjisë dhe gazit. Nga ana tjetër, duke u rritur kaq shumë shpenzimet, tregtarët kanë nxjerrë në treg produkte me çmime të larta, të papërballueshme nga konsumatori shqiptar.
Në këto kushte, në mënyrë që të vijojmë punën, të mbajmë punëtorët, të ulim çmimet e produkteve dhe të mos falimentojmë, gjë që nuk i shërben as shtetit pasi ne jemi taksapagues, kërkojmë nga ju që të na ndihmoni me uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të gazit, për biznesin në tërësi.
Gjithashtu ju bëjmë me dije ju, si garant i mbrojtjes së konsumatorëve nga abuzimet e kompanive të shpërndarjes, se biznesi po pëson dëme të mëdha nga energjia elektrike e cila nuk vjen ashtu si duhet, ka luhatje të mëdha tensioni dhe po shkatërrohen pajisje dhe makineri. Edhe proceset gjyqësore nuk zgjidhin ndonjë gjë sepse përveç që zvarriten pa fund, për hir të së vërtetës, të paktën deri tani, duhet thënë se ka pasur një tendencë për të mbrojtur në çdo rast OSHEE dhe jo biznesin e dëmtuar nga produkti i tyre i cili na shitet jashtë parametrave shpesh herë.
Ne si biznesmenë dhe tregtarë, ju shohim ju si institucion, si avokatët e vetëm që mund të na zgjidhni këto probleme kaq serioze në punën tonë. Për diskutimin mbi uljen e tarifave, do të ishte kënaqësi që ditën që do ta merrnit në shqyrtim kërkesën tonë, të ftonit një përfaqësi nga Shoqata jonë që ta diskutojmë së bashku dhe t’ju japim informacione të tjera më të detajuara për të arritur në një përfundim racional dhe të drejtë për të dyja palët. Duke ju falënderuar paraprakisht, shprehim besimin se do ta shikoni me prioritet kërkesën tonë!
Me respekt Nikollaq Neranxi
Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë
Ndaje me miqte