0030 210 33 18 483

Situatë dramatike me lejet e qëndrimit

Tribuna TV 31 Janar 2019

Pas një periudhe normaliteti, disa vjet më parë, në procesin e marrjes dhe rinovimit të lejeve është rikthyer prej disa kohësh situata e dikurshme, me vonesa jashtëzakonisht të gjata.

Viti që sapo ka hyrë mbart shumë punë për shërbimet e emigracionit. 2019-a është viti kur duhet të rinovohet numri më i madh i lejeve të qëndrimit të të gjitha tipave.

Rrjedhimisht, volumi i pritshëm gjatë këtij viti, duket se do ta rëndojë edhe më shumë situatën.

Në studion t TV Tribunës ishte këto ditë drejtori i drejtorisë më të madhe në vend të Emigracionit, asaj Athinë A, zoti Ilias Hronopulos, bashkë me ndërmjetësin ndërkulturor dhe kandidat për deputet me KINAL, z. Fatos Malaj.

Pyetja e parë që i drejtuam ishte nëse shërbimet përkatëse janë të përgatitura që të përballojnë fluksin e madh të këtij viti:

Përgjigjja është “Jo”.

Dhe nuk është vetëm ngarkesa që do të rezultojë nga skadimi i mijëra lejeve. Mirëpo vazhdimisht paraqiten faktorë të rinj në sistem.

Një faktor shumë i rëndësishëm në këtë moment, që ka krijuar bllokim dhe një problem shumë të madh, është e ashtuquajtura “Vizë e Artë”.

Janë investitorët e huaj që blejnë pasuri të patundshme në Greqi.

Deri vjet kishim 1-2 aplikime në ditë, ndërsa sot mbyllim 35 takime në ditë.

Dhe takimi i fundit i disponueshëm është për në gusht 2019.

Në shërbimin që përfshin Pireun dhe zonën jugore, që aty ndodhen dhe “filetot”, si troje e banesa, në këtë moment mbyllin takime për në vitin 2010.

Po të marrim parasysh se që nga qershori e tutje do të fillojnë të rinovohen masivisht edhe lejet që ishin dhënë për arsye të jashtëzakonshme, plus lejet trevjeçare që kishin dalë po masivisht në 2016, rezultati do të jetë një “koktejl shpërthyes”, për të cilin nuk e di se kush mund të na ndihmojë... Vetëm zoti...

Sepse nuk shohim të na shtohet personeli dhe nuk shohim as të jepet zgjidhje.

TV Tribuna: Çështja e mungesës së personelit shtrohet prej shumë vitesh. Çfarë ndodh? Nuk duan njerëzit të punësohen në shërbimet tuaja? Nuk ka para që të paguhen? Ku shkojnë paravolot që paguajnë emigrantët?

Nëpër vite kishim emërime, largime, riemërime... Kur filloi shërbimi me një qëndrim, kur kompetencat u hoqën nga bashkitë në 2010, ishim pak punonjës.

Me iniciativën time, por edhe të të tjerëve, erdhën punonjës të ish policisë bashkiake dhe filluan në shërbimet tona.

Brenda një 6 mujori arritëm që ta nxirrnim lejen brenda një dite dhe t’ia jepnim qytetarit.

Kur filloi karta biometrike, ku kishte një procedurë më të gjatë, kjo e dyfishoi kohën e punës dhe rrjedhimisht u detyruam të shkartisim edhe personelin. Domethënë, nëse kishim 10 punonjës që merrnin në dorëzim aplikimet, mbetëm me 6, dhe të tjerët duhej të merreshin me procesin biometrik.

Kushtet janë kaq stresuese dhe kërkesat që vijnë nga ministria janë të shumta e të vazhdueshme, pa asnjë program, kuturu dhe prandaj njerëzit largohen nga puna, nuk kanë asnjë stimul që të punojnë në këtë shërbim.

Imagjinoni, ministria nuk pranon të na paguajë ca orë jashtë orarit, që të mund të punojnë pak më shumë punonjësit e të dalin më shpejt lejet.

Qeveria nuk pranon, në kohën që gjithë këto vite vjel të ardhura shumë të majme nga paravolat që paguajnë emigrantët.

Dhe kur emigranti jep paratë e tij shumë të çmuara, duhet të marrë diçka si shkëmbim. Dhe ajo që merr është sorollatje, e cila për fat të keq shtohet.

Ky është realiteti.

Dhe do të duhet që organizatat e emigrantëve, por edhe zoti Malaj nëse arrin dhe merr një vend në parlamentin grek, këto gjëra duhet të futen të parat në axhendë.

Sepse jetët e rreth një milion emigrantëve që ndodhen në Greqi 20-25 vitet e fundit, kanë kaluar në plan të dytë, fatkeqësisht...

Kanë rënë të gjithë mbi refugjatët, që sigurisht është një problem kolosal, mirëpo nuk bëhet që të braktisen emigrantët në mëshirë të zotit!...

TV Tribuna: Aq më tepër që flasim për njerëz të cilët kanë tre dekada në Greqi...

Janë njerëz që kanë krijuar lidhje këtu, kanë 30 vjet. Kanë ndërtuar shtëpitë tona, janë kujdesur për prindërit tanë, kanë punuar arat tona, kanë shitur produktet tona...

Në lagjen time, shumica e banorëve janë emigrantë. Flasim çdo ditë, jemi miq, pimë kafe dhe dëgjoj çdo ditë problemet e tyre.

Fatkeqësisht, këta njerëz, për shtetin grek, janë të padukshëm...

 

TV Tribuna: Nga përvoja juaj, a mendoni se kur dikush vjen për të nxjerrë apo për të rinovuar lejen e qëndrimit, është i informuar në mënyrë të mjaftueshme për procedurat?

Kjo do të thoshja se është një “vrimë e zezë” në gjithë marrëdhënien emigrant – administratë.

Kjo i ka rrënjët 10-15 vite më parë, kur procesi bëhej nga bashkitë dhe kur nuk kishte informacion për emigrantin.

Filluam ne në shërbimin me një qëndrim, me vullnetarë dhe me ndërmjetës ndërkulturorë, si zoti Malaj.

Zoti Malaj nga çasti i parë ishte me ne, na mbështeti dhe nuk kam fjalë ta falënderoj.

Përpiqemi ta informojmë dhe ta orientojmë emigrantin.

Nuk bëhet të thotë p.sh., që “unë ia dhashë letrat avokatit dhe nuk di më se çfarë u bë”. Është e tmerrshme ta pyesësh “si e quajnë avokatin” dhe ai të të përgjigjet “Ah, po nuk ia di emrin”... Gjëra të pabesueshme?...

Gjithashtu, ndodhen prej 20 apo 25 vjetësh në Greqi dhe, e kuptoj që administrata jonë është problematike fund e krye, jemi versioni më i keq i asaj që quhet “Ballkan” me kuptimin negativ të përdorimit.

Mirëpo, nuk mund të mos dish 5 gjëra bazike që të duhen për të marrë lejen e qëndrimit.

Nuk bëhet të mos dish që duhet të kesh bërë deklarimin e të ardhurave, të kesh një siguracion, se duhet të sjellësh ca fotografi, të kesh pasaportën tënde dhe të paguash edhe një paravolo.

TV Tribuna: Zoti Hronopoulos, përse nevojitet gjithë kjo burokraci lidhur me lejet biometrike? Përderisa të dhënat janë biometrike, përderisa ka një sistem kompjuterik, a nuk ka mundësi që gjithë këto të kryhen më shpejt?

Çështja është se kjo ishte një kërkesë e BE-së që nga viti 2008...

TV Tribuna: Më falni, por kam mendimin se e njëjta kërkesë e BE-së vlen edhe për vende të tjera. Për Italinë, bie fjala, ku bashkatdhetarët tanë atje na thonë se situata nuk është problematike si këtu...

Në Greqi këtë e bënë me një vonesë dhjetëvjeçare. Imagjinoni që gjithë lejet që janë në qarkullim – flasim për 600.000 leje qëndrimi- do të duhet të rinovohen e të bëhen biometrike. Kjo është një procedurë kolosale, e cila për fat të keq, do të marrë edhe kohë, edhe do t’i bllokojë gjërat.

Leja biometrike do të na japë lehtësi të tjera.

P.sh., kur dikush ka leje biometrike dhe ndryshon pasaportën, a duhet të vijë prapë te ne që ne t’ia nxjerrim sërish lejen? Përgjigjja është jo.

Kjo është një lehtësi që na ofrojnë lejet biometrike dhe që ndikon në reduktimin e volumit të punës.

Ndërkaq, sa i përket dokumentacionit, mund të bëhet më i centralizuar, ndoshta do të duhet të futet aplikimi elektronik. Të mos grumbullohen njerëzit para shërbimeve.

Ndaje me miqte