Si mund ta ndryshosh lejen nga 10 vjeçare në europiane
TV TRIBUNA
17 Shkurt 2020
Sipas të dhënave më të fundit që ka publikuar ministria e emigracionit, në Greqi, në 31 janar 2020, kishte gjithsej 347.018 shqiptarë me leje qëndrimi të të gjitha tipave.
Gjysma e lejeve janë për bashkim familjar.
Ndërsa në gjysmën tjetër, përfshihen lejet e gjithë tipave të tjerë, ku siç thonë në drejtorinë e emigracionit në Athinë, shumica dërrmuese e tyre janë leje afatgjata.
Shumë prej këtyre lejeve janë 10 vjeçare, dhe tashmë ato nuk rinovohen më me të njëjtin afat, pra për 10 vjet, thotë drejtori i kësaj drejtorie, Ilias Hronopoulos.
E vetmja mundësi sot që dikush të aplikojë dhe të marrë leje 10 vjeçare, është që ai të ketë pasur leje qëndrimi të vlefshme në 1 janar 2006.
Leja e qëndrimit 10 vjeçare, është një leje tranzicionale, domethënë nuk kanë të gjithë të drejtë për ta përfituar atë.
Konkretisht, të drejtën për t’u pajisur me këtë leje e kanë vetëm ata që kishin leje qëndrimi të vlefshme më 1.01.2006. ata që kanë marrë për herë të parë leje qëndrimi pas datës 01.01.2006, nuk mund të aplikojnë për leje qëndrimi 10 vjeçare.
Tashmë, kur shkon për të rinovuar lejen 10 vjeçare, merr 3 vjeçare.
Por nga ana tjetër, nëse plotëson kushtet, mund të marrësh leje 5 vjeçare, ose siç quhet, europiane, e cila të jep të drejtën që të punosh edhe në vendet e Bashkimit Europian.
Këtë ndryshim, pra kthimin në leje europiane, mund ta bësh në çdo moment, edhe pa të skaduar leje aktuale 10 vjeçare, thotë zoti Hronopoulos në përgjigje të pyetjes së TV Tribuna.
Një kategori e madhe janë lejet e qëndrimit afatgjata.
ILIAS HRONOPOULOS: Domethënë, leja 10 vjeçare, e cila është hequr, ose më saktë jepet akoma, por me kushte. Dhe nuk rinovohet më si 10 vjeçare.
TV TRIBUNA: Dikush që në këto momente ka leje 10 vjeçare, mund të vijë -nëse nuk e kam gabim- dhe të bëjë ndryshimin nga leje 10 vjeçare, në leje 5 vjeçare, europiane...
ILIAS HRONOPOULOS: Natyrisht. Në çdo moment që dëshiron.
TV TRIBUNA: A është i vështirë si proces.
ILIAS HRONOPOULOS: Nuk është e vështirë. thjesht duhet të dëshmojë një nivel të caktuar të ardhurash. Të ketë deklaratën tatimore me 8.500 euro. Nga këto zbriten kontributet për siguracione, siç ka dërguar ministria në një qarkore.
Dhe kemi një informacion që sivjet, me rritjen e pagës minimale, do të rritet edhe niveli i të ardhurave që kërkohet për këtë leje.
Mirëpo, për këtë ende nuk kemi një informim zyrtar.
Gjithashtu, për të marrë lejen e rezidentit afatgjatë, do të duhet, ose të kesh çertifikatë për mësimin e gjuhës greke, ose të kesh mbushur 12 vjet qëndrim të ligjshëm në Greqi.
TV TRIBUNA: Kur ke 12 vjet nuk nevojitet çertifikata e mësimit të gjuhës?
ILIAS HRONOPOULOS: Jo. Jo. Dhe, sigurisht, nga leja 10 vjeçare, që të marrësh lejen e rezidentit afatgjatë, nuk paguan asgjë, asnjë paravolo. vetëm 16 eurot për kartën biometrike.