0030 210 33 18 483

Shuhet Ismail Kadare, shkrimtari që gjeti te letërsia "shpresën për të kapërcyer gjithçka"?

TV Tribuna 01 Korrik 2024

Më i madhi shkrimtar shqiptar, Ismail Kadare është ndarë nga jeta në orën 8:40 të mëngjesit të sotëm, në moshën 88 vjeç.

Ai la pas një korpus monumental veprash, që i krijoi duke përdorur germat si një instrument lirie nën trysninë e tiranisë komuniste, një nga më të diktaturat më të egra të shekullit XX.

Herë duke përdorur sarkazmën, herë groteskun e herë epikën, Kadare eksploroi mitet dhe historinë e Shqipërisë, për të “shkatërruar” mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.

“Ferri komunist, ashtu si çdo ferr tjetër, është mbytës”, i kishte deklaruar agjencisë franceze të lajmeve në një prej intervistave të fundit, në tetor të vitit të kaluar, pak para se t’i dorëzohej nga presidenti francez Emnmanuel Macron në Tiranë, urdhëri Oficer i Lartë i Legjionit të Nderit, një nga medaljet më të rëndësishme të Francës.

Letërsia “më dha gjithçka që kam sot, ishte kuptimi i jetës, më dha kurajën të rezistoj, më dha lumturinë, më dha shpresën që të kapërcej gjithçka”, kishte thënë në atë intervistë në shtëpinë e tij në Tiranë.  

“I përkas një populli ballkanik, popullit shqiptar, që e humbi Europën dy herë, në shekullin e 15, gjatë sundimit otoman dhe më pas, në shekullin e 20, gjatë periudhës komuniste", i kishte thënë gazetës Le Monde në janar 2015, pas sulmeve terroriste në Paris.

Vepra e tij e pasur letrare, që përfshin rreth 50 romane, ese, tregime, poezi që janë përkthyer në 40 gjuhë, u krijua pjesërisht nën regjimin e Enver Hoxhës, që qeverisë me dorë të hekurt vendin e tij.

Për Ismail Kadarenë zgjedha nuk mund të përbënte alibi: shkrimtari ka për detyrë që të t’i japë vetvetes liri të plotë, të gjendet “në shërbim të lirisë”. “E vërteta nuk gjendet në aktet, por në librat e mi që është një testament i vërtetë letrar”, kishte thënë në një intervistë të vitit 2029.

I lindur në Gjirokastër, qytet që e gjejmë të “Kronikë në gur” (1970), botoi romanin e tij të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në 1963.

Ishte dy vjet pas kthimit të tij nga studimet në institutin e letërsisë “Gorki” në Moskë, një vatër e realizmit socialist sovjetik, që Kadareja përçmonte pse “nuk kishte mister, as fantazi, asgjë”.

Në vitin 1973 botoi romanin “Dimri i madh” që përshkruan përplasjen e Enver Hoxhës me Hrushovin.  Libri merr kritika të ashpra për mangësi në përshkrimin e figurës së Enver Hoxhës, por diktatori çuditërisht e merr në mbrojtje.

Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare shkroi në Francë, ku kërkoi strehim politik dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar ishte anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.

Kadare është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera.

Kadare e konsideronte veten shkrimtar “që përpiqet të bëjë letërsi normale në një vend anormal”.

Deri në fund shkruante vazhdimisht. “Shkruaj ide, tregime, kam plane”, thoshte me zë të lodhur në intervistën e fundit në tetor 2023.

“Sepse letërsi është dashuria ime më e madhe, e vetmja, më e madhja, e pakrahasueshme me gjithçka tjetër në jetë. Dhe ashtu si jeta, shkrimtari nuk ka moshë”...

Ndaje me miqte