Ashtu siç kishte paralajmëruar të mërkurën TV Tribuna, është bërë fakt shtyrja e lejeve të qëndrimit që kanë skaduar dhe e vërtetimeve.
Vendimi i ministrit të emigracionit është publikuar të premten në mëngjes dhe, edhe pse sot është data 1 prill, vendimi është më se i vërtetë.
Në njoftimin e ministrisë së emigracionit thuhet:
Me vendim të ministrit të emigracionit dhe azilit, shtyhet deri në 30 qershor 2022 vlefshmëria e lejeve të qëndrimit që janë akorduar në bazë të nenit 139 të ligjit 4876/21 dhe skadonin në 31 mars 2022, si dhe e lejeve të qëndrimit dhe vërtetimeve të aplikimit që skaduan nga 1 janari 2022 deri në 31 mars 2022.
Kur thuhet neni 139, kjo përfshin aplikimet që ishin bërë deri në 31 dhjetor 2020 dhe që tashmë duhej të aplikonin nga e para, me afat 31 marsin.
Kjo kategori tashmë mund të aplikojë deri në 30 qershor.
Po ashtu, mjaft emigrantë që u skadoi leja nga janari deri në fund të muajit të kaluar, nuk patën mundësi të aplikonin dy muaj përpara, siç përcakton ligji dhe rrezikonin t’i humbnin përgjithmonë letrat.
Tashmë, edhe ata do të mund të aplikojnë deri në 30 qershor dhe normalisht, pa paguar gjobën.