Shqiptari hero në Itali, rrezikoi jetën për të shpëtuar një të moshuar
ATSH
16 Dhjetor 2018
Një shqiptar është shndërruar në hero nga mediet italiane. Namik Shemuni i shpëtoi jetën një të moshuare që po mbytej në kanal duke rrezikuar edhe jetën e tij.
“Ndodhi, ishte një gjest që më erdhi spontanisht-thotë Niku me thjeshtësi të madhe dhe përulje. E bëra vetëm për njerëzillëk, unë vij nga një familje që më ka mësuar të ndihmoj gjithmonë të tjerët që kanë nevojë. Përpiqem me aftësinë time për t’i mësuar fëmijët e mi”. Janë këto fjalët e heroit shqiptar, Namik Shemuni, 55 vjeç, shqiptar dhe qytetar italian, i cili në mëngjesin e së shtunës, 8 dhjetor u falënderua nga i gjithë komuniteti i Adria(Venecia-Itali) për gjestin e tij: Namiku, për miqtë Niku, u hodh në kanal për të shpëtuar një grua që ishte duke u mbytur.
Kryetari i bashkisë së Adrias, Omar Barbierato i akordoi certifikatë mirënjohjeje dhe falënderimi për gjestin e tij human. Certifikata iu dha në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku vetë kryetari i shprehu mirënjohjen e të gjithë qytetit.
Tregimi i asaj dite që e e kurorëzoi Namikun si një hero
“Atë ditë po bëja një punë të vogël në derën e shtëpisë sime, që është shumë e vjetër. Një i njohur që kalonte dhe më pyeti nëse kisha një shkop për shkak se ishte një person që po mbytej në kanal. Mora një fshesë, mendova se ishte një peshkatar i cili kishte rënë larg nga bregu dhe ishte e vështirë për ta ndjekur për shkak se terreni ishte i rrëshqitshëm. Në vend të kësaj, kur mbërrita, pashë se ai person ishte në mes të kanalit. Pra, çfarë të bëj? Për një moment e pyeta veten. Dhe pastaj unë zhvesha dhe personi që më thirri më pyeti nëse isha i çmendur. ‘Çfarë po bën? A je i çmendur? Është e ftohtë rrezikon të mbytesh edhe ti’, më tha ai. Por, pashë që gruaja vazhdonte të fundosej më poshtë dhe mendova se ishte në fund dhe thashë me vete se mund t’ia dal, mund të rezistoj, mund ta bëj, unë rezistoj. Dhe unë shkova në ujë. Ishte shumë ftohtë. Kur mbërrita tek zonja, ajo më tërhoqi poshtë ujit bashkë me të, por rigjeta fuqinë time dhe arrita ta tërhiqja edhe atë në breg, ku ishte një person që më dha një dorë për ta tërhequr “-, citon gazeta italiane “Rovogo in Direta”.
Agjencia Telegrafike Shqiptare kontaktoi me vajzën e Namik Shemunit, e cila u shpreh krenare për babain e saj, që i shpëtoi jetën një të moshuare. Familja e Namik Shemuni prej shumë vitesh jeton në Itali.
Ndaje me miqte