Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar një valë të madhe solidariteti në komunitetin shqiptar të Selanikut.
Të gjitha shoqatat kanë bashkërenduar punën e tyre dhe po grumbullojnë vazhdimisht ndihma, për t’iu gjendur bashkatdhetarëve të prekur rëndë nga tërmeti shkatërrues.
Solidariteti i shqiptarëve ka sensibilizuar edhe qytetarët dhe institucionet greke, që gjithashtu po bëjnë ç’është e mundur, me ndihma humanitare.
Mitropoliti i Selanikut, Anthimos, mbajti një përshpirtje për viktimat e tërmetit, gjatë predikimit të tij ne Metropoli.
Me iniciativën e komunitetit shqiptar, në kishën katolike të qytetit u mbajt një meshë, ku predikoi at Gazmend Tinaj, i ardhur enkas nga Shqipëria.
Mirëpo, përtej ndihmave për viktimat e tërmetit, duket se komuniteti shqiptar i Selanikut ka hyrë në një fazë të re të organizimit të tij, më kompakt e më cilësor. Një organizim i domosdoshëm pas gati 30 vjet të pranisë së shqiptarëve në Greqi.
Për të mësuar më shumë mbi këtë organizim, por edhe për solidaritetin e shqiptarëve të atjeshëm, Televizioni Tribuna zhvilloi një intervistë me zonjën Anila Rezhda, eksperte gjyqësore në Gjykatën e Selanikut dhe aktiviste e njohur e komunitetit shqiptar.