0030 210 33 18 483

Shqiptar në Greqi, 12 + 1 përgjigje të domosdoshme

TV Tribuna 21 Dhjetor 2020

Më ka mbaruar leja e qëndrimit dhe nuk e di se çfarë bëhet tani...

Kisha mbyllur takim në 14 dhjetor, po u anulua.

Çfarë dokumentash duhen për të shkuar në Shqipëri?

Këto janë pyetjet më të zakonshme që mbërrijnë me dhjetra në ditë në adresë të Televizionit Tribuna.

Pavarësisht se përpiqemi t’iu përgjigjemi të gjithëve, me korrektesë dhe saktësi, mendojmë që më e mira është të ndiqni këtë video.

Kemi bërë një përmbledhje të pyetjeve më të dendura që po na bëhen kohët e fundit dhe që preokupojnë një numër jashtëzakonisht të madh bashkatdhetarësh.

Në këtë mënyrë ju do të merrni përgjigje të menjëhershme për pyetjet që mund të keni.

PYETJE 01: Kisha mbyllur takim për rinovimin, po u anuluan për shkak të Covid. Çfarë do të bëhet tani?

PËRGJIGJE: Takimet do të realizohen në një datë tjetër që do të jepet pas heqjes së masave kufizuese. Priten sqarime nga ministria e emigracionit.

PYETJE 02: Më ka mbaruar leja e qëndrimit, po nuk kam mundur të mbyll takim për rinovimin. Çfarë bëhet?

PËRGJIGJE: Nëse leja ju ka skaduar nga  1 janari 2020 deri në 31 korrik 2020, ka marrë shtyrje deri në 31 MARS 2021.

Nëse leja ju ka skaduar nga 1 gushti 2020 apo skadon deri në 31 mars 2021, ka marrë shtyrje për 8 MUAJ QË NGA DATA E SKADIMIT.

PYETJE 03: A mund të udhëtoj me lejen e skaduar për në Shqipëri dhe të kthehem pa problem?

PËRGJIGJE: Po, mund të udhëtoni.

PYETJE 04: Kur do të mund të mbyllim takim për rinovimin e lejes së qëndrimit?

PËRGJIGJE: Dy muaj para skadimit të lejes apo 2 muaj para përfundimit të shtyrjes.

PYETJE 05: Çfarë dokumentash duhen për të udhëtuar në Shqipëri?

PËRGJIGJE: Në radhë të parë duhet të plotësoni online formularin PLF, që gjendet në adresën gov.gr. Pasi ta plotësoni, në celularin ose emailin tuaj do të vijë një bar kod që quhet kodi QR. Ardhja e këtij kodi konfirmon se ju keni plotësuar formularin PLF.

Duhet të dini që ndër masat për Covid është e ndaluar lëvizja nga rrethi në rreth. Për këtë ju këshillojmë të plotësoni një deklaratë përgjegjësie (IpefthiniDilosi), ku të shkruani që po shkoni për arsye esenciale në Shqipëri. KUJDES! Ka pasur raste që policia gjatë kontrollit nuk e ka marrë parasysh këtë dhe ka vënë gjoba.

PYETJE 06: A mund të shkoj me makinën time në Shqipëri?

PËRGJIGJE: Po. Por duhet të keni parasysh që për momentin lejohet vetëm drejtuesi i mjetit dhe një pasagjer, me përjashtim të rasteve kur ka fëmijë të mitur, të cilët lejohet të udhëtojnë.

PYETJE 07: Jam me veveosi blu, a mund të shkoj në Shqipëri?

PËRGJIGJE: Këshilla jonë është që jo. Pasi në mjaft raste, kush ka udhëtuar me veveosi nuk është lejuar të kthehet sërish në Greqi.

PYETJE 08: A ka karantinë pas hyrjes në Shqipëri?

PËRGJIGJE: Jo, në Shqipëri nuk ka karantinë.

PYETJE 09: Dua të kthehem nga Shqipëria në Greqi, ku jetoj. Çfarë kërkohet për këtë?

PËRGJIGJE: Duhet që 72 orë përpara mbërritjes në kufi të kryeni testin PCR për Covid dhe përgjigjja të jetë negative. Pas kryerjes së testit ju duhet të merrni një vërtetim në anglisht se testi ju ka dalë negativ.

Me test pozitiv nuk lejohet të hyni në Greqi.

Po ashtu, do t’i nënshtroheni rapid testit në kufi. Në rast se përgjigjja e Rapid testit del pozitive ju nuk do të lejoheni të kaloni.

PYETJE10: A duhet të kem ndonjë dokument tjetër?

PËRGJIGJE: Po. Për të vërtetuar adresën e banimit ju duhet të keni me vete formularin E1 (deklaratën tatimore) apo të zbrisni nga interneti nëpërmjet sistemit Taksis net, vërtetimin e banimit, ose siç i thonë në greqisht VeveosiKatikiasIdikisHrisis. Gjithashtu duhet të plotësoni edhe një ipefthinidilosi se po ktheheni në vendbanimin tuaj të përhershëm.

PYETJE11: A lejohet kalimi i kufirit edhe nga Kakavija, edhe nga Kapshtica?

PËRGJIGJE: Kalimi (dale dhe hyrje) lejohet vetëm nga Kakavija.

Kakavija funksionon me orarin 07,00-23,00. Lejohet kalimi i vetëm 750 personave në ditë.

PYETJE 12: Sa ditë karantinë duhet të qëndroj pas hyrjes në Greqi.

PËRGJIGJE: Nëse hyni nga Kakavija, 7 ditë. Nëse vini me avion, 3 ditë.

PYETJE 13: Deri kur zbatohen masat kufizuese në Greqi.

PËRGJIGJE: Masat e tanishme zbatohen deri në 7 janar 2021, po ato mund të shtyhen edhe më tej, në varësi të ecurisë së Covid-19 në Greqi.

Ndaje me miqte