0030 210 33 18 483

Shqipëria ia doli, por ende më shumë sfida kemi përpara

Tribuna TV 17 Prill 2018

TIRANË, 17 prill /ATSH-Maela Marini/ – “Shqipëria ia doli, por ende më shumë sfida kemi përpara”. Kështu deklaroi për mediat të martën, Kryeministri Edi Rama, duke përshëndetur dhënien e rekomandimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Shqipëria sapo ka hapur një kapitull të ri të historisë së saj si shtet, tha Rama, duke theksuar se tani nuk jemi më thjesht një vend që aspiron të bëhet një ditë si gjithë Europa, si 24 vite me radhë qysh prej dhjetorit ’90.

“Nuk jemi më as vetëm një vend me statusin e vendit kandidat në BE, siç ishim nga viti 2014 deri më sot”, tha Kryeministri.

Sipas tij, “Shqipëria ka kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re, si vend dhe popull”.

“Jemi rekomanduar pa asnjë rezervë nga KE, si një shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën e negociatave për të hyrë në familjen e shteteve anëtare të Europës së bashkuar”, vijoi Rama.

Kryeministri u shpreh i emocionuar dhe shumë krenar, sepse sipas tij, “ia dolëm këtij provimi të stërvështirë”. I dhamë Shqipërisë, vijoi ai, një staturë të re në arenën ndërkombëtare dhe dolëm më në fund nga një tjetër udhëkryq mes të shkuarës dhe së ardhmes.

“Është e qartë se rruga përtej udhëkryqit ku ndodheshim sado e përpjetë, e vështirë apo e gjatë, është e gjitha e hapur para nesh. Stacioni i radhës është anëtarësimi në BE dhe shpejtësia e mbërritjes varet nga ne”, tha Rama.

Shqipëria, vijoi Kryeministri, “ka marrë vlerësimin më të lartë ndërkombëtar të thuajse një 30-vjeçari përpjekjesh, arritjesh, dështimesh, rëniesh dhe ringritjesh”.

Kreu i Qeverisë shprehu sinqerisht respektin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që, siç tha ai, “para nesh dhanë një dorë për të ndërtuar një pjesë të rrugës drejt Bashkimit Europian”.

“Me besim, vendosmëri dhe mundime të mëdha, përmes reformash të guximshme dhe rezultatesh të pamohueshme, por edhe momentesh të vështira, ku kemi rrezikuar jo pak dhe ndonjëherë edhe kemi gabuar, ia kemi dalë që në 4 vite ta kthejmë besimin e popullit te ne, në dy arritje të mëdha, të një rëndësie historike për të ardhmen”, theksoi Rama.

Duke renditur këto arritje historike, Kryeministri theksoi se “vitin e parë të mandatit të parë e bëmë Shqipërinë vend kandidat, ndërsa vitin e parë të mandatit të dytë bëmë realitet marrjen e rekomandimit të pastër, të qartë, të drejtpërdrejtë, për çeljen e negociatave për anëtarësim”.

Këto nuk janë dhurata dhe as gjeste bujarie ndaj Shqipërisë nga Europa e bashkuar, theksoi Kryeministri. Brukseli nuk bën dhurata, por njeh meritat, tha Rama.

Rekomandimi, vijoi Kryeministri Rama, është njohje e meritave të Shqipërisë në fushën e betejave të vështira për të bërë shtet me reforma reale.

Kreu i qeverisë garantoi se “ky nuk është fundi i këtyre betejave, por futja në një fazë të re të reformave dhe shembulli më kuptimplotë për të gjithë që të bëjmë dalllimin mes fazës që sapo është mbyllur dhe asaj që ka nisur”.

Thelbësore në dhënien e rekomandimit, sipas Ramës ishte reforma në drejtësi. “Nëse për të marrë rekomandimin e sotëm ne duhet të ligjëronim Vetting-un dhe të jepnim provat e para, në vitet që kemi para duhet të provojmë pa ekuivok fuqinë ndëshkuese të sistemit të drejtësisë”, theksoi Kryeministri.

“Gjykatësit dhe prokurorët që përjashtohen nga sistemi se nuk kalojnë dot Vetting-un, politikanët që i kanë ikur me sukses për vite me radhë një drejtësie të korruptuar dhe të kapur prej fyti, keqbërësit e mëdhenj që duart e përgjakura i kanë larë me sapunin e drejtësisë, apo çdo i fortë qyteti dhe lagjeje, duhet të paguajnë njësoj siç kanë paguar fajtorët e të gjitha niveleve në çdo vend anëtar të BE-së”, theksoi Kryeministri.

Periudha e negociatave, sipas tij, është ndarja përfundimtare e ‘shapit nga sheqeri’ në një vend që synon anëtarësimin në BE.

Periudha e thellimit të modernizimit të saponisur të shtetit dhe të konsolidimit të institucioneve demokratike, sipas Ramës, kërkon marrjen e plotë të përgjegjësive nga të gjithë.

Si e tillë, vijoi ai, “kjo është larg së qeni një periudhë e lehtë, përkundrazi është e ngarkuar me sfida dhe ngarkesa të mëdha për të gjithë, për të zgjedhurit, qeverinë dhe opozitën, por në radhë të parë për qeverinë”.

“Dora jonë është sot e shtrirë përsëri ndaj opozitës dhe unë e ftoj sot para të gjithë shqiptarëve, socialistë dhe demokratë, opozitën dhe kryetarin e saj që të mos ngatërrojnë përplasjet shqip me këtë sfidë të përbashkët kombëtare, që sot më shumë se kurrë kërkon që kur flasim në gjuhë të huaj, të mos tregojmë me gisht njeri-tjetrin, por t’i dalim shqiptarisht për zot vendit”, theksoi Kryeministri.
 

Ndaje me miqte