Shpëtuan dhjetra njerëz gjatë zjarreve, tre emigrantët marrin nënshtetësinë greke
Tribuna TV
02 Janar 2019
Presidenti i Republikës Helenike, Prokopis Pavlopoulos, ka pritur tre emigrantët, dy egjiptianë dhe një shqiptar, të cilëve iu akordua në shenjë nderimi nënshtetësia greke, për aktet e vetëmohimit dhe shpëtimit të dhjetra njerëzve, gjatë zjarreve në Mati në korrik 2018.
Ata janë:
EL HAMISI EMAND i IBRAHIMIT, lindur më 18.09.1968 në Egjipt
MUSA MAHMUD i ELSAJEDIT, lindur më 05.03.1972 në Egjipt
GANI XHEKA i DURIMIT, lindur më 13.12.1983 në Lushnje, Shqipëri.
Duke iu drejtuar atyre, presidenti Pavlopoulos u shpreh se me dhënien e nënshtetësisë, “Greqia bëri detyrën kundrejt jush dhe aktit tuaj, që dëshmon humanizëm dhe solidaritet”.
Pavlopoulos shtoi se tre emigrantët, me vetëmohimin e tyre u japin një mësim dhe disa partnerëve europianë. “Le ta kuptojnë disa partnerë se që të jetë dikush europian është nder i madh, por ka edhe detyrime”, tha Presidenti grek.
“Në këtë mënyrë i dërgohet një mesazh Europës, para zgjedhjeve kritike për parlamentin Europian dhe monstrave të populizmit dhe ksenofobisë, që përballen me mentalitetin e humanizmit dhe të solidaritetit, që shprehin me shembullin e tyre tre emigrantët”, shtoi Pavlopoulos.
Ministri i brendshëm, Aleksis Haritsis, vuri në dukje se është shumë e madhe mirënjohja e të gjithëve ndaj tre emigrantëve, të cilët me vetëmohim dhe bashkë me të tjerë shpëtuan dhjetra bashkëqytetarë.
Haritsis nënvizoi dhe simbolikën që përmban akti i tyre, pasi dëshmon vlerën e solidaritetit dhe të kontributit shoqëror, në një kohë që në Europë po shtohen zërat e urrejtjes dhe të ksenofobisë.
Ministri i brendshëm, shprehu urimin që shembulli i tre emigrantëve të përbëjë një udhërrëfyes me qëllim që viti i ri të jetë e ardhmja e një shoqërie solidariteti dhe pa dallime.
Ndaje me miqte