Shpërthen vullkani, 25 të vdekur
Tribuna TV
04 Qershor 2018
Të paktën 25 njerëz kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur për shkak të “lumenjve të llavës” që vërshuan pas shpërthimit të vullkanit “Fuego” në Guatemalë.
Zëdhënësi i shërbimit koordinues për përballimin e katastrofave, u shpreh të hënën paradite se nuk e përjashton që bilanci tragjik të jetë edhe më i madh.
“Mijëra njerëz janë evakuar nga vatrat e tyre dhe 1,7 milionë banorë të Guatemalës preken në njërin apo tjetrin nivel, prej katastrofës”, shtoi zyrtari.
Më herët autoritetet kishin bërë të ditur se u evakuan nga zona e rrjedhjes së llavës 2.000 persona, pasi aktiviteti i vullkanit Fuego konsiderohet më seriozi i dekadave të fundit.
Me një lartësi deri në 3 763 metra, vullkani Fuego (Zjarri) ndodhet rreth 35 kilometra nga kryeqyteti.
Aeroporti ndërkombëtar “Ciudad de Guatemala” u mbyll përkohësisht për shkak të sasive të mëdha të hirit vullkanit.
“Personeli i aeroportit dhe i ushtrisë u angazhua për pastrimin e pistave për të mundësuar vijimin e fluturimeve”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil.
Shpërthimi përfshiu kryesisht komunat rurale në afërsi të vullkanit dhe ish-qytetit kolonial të Antiguas, zona më e rëndësishme turistike e Guatemalas.
Ndaje me miqte