TIRANË, 26 mars /ATSH/- Një urë në qytetin amerikan të Baltimorës është shembur tërësisht në lumin Patapsco pasi është goditur nga një anije me kontejnerë, sipas CNN.
Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të paktën shtatë persona në lumin Patapsco pas shëmbjes së Urës “Francis Scott Key” gjatë natës, ku ranë dhjetëra automjete, tha një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit në Baltimorë.
“Agjencitë lokale telefonuan urgjencën rreth orës 1:30 të mëngjesit duke raportuar se një anije që po udhëtonte për në Baltimorë kishte goditur një kolonë të urës”, tha Kevin Cartwright, drejtor i komunikimit për Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimorë.
Ura Francis Scott Key në Baltimorë u shemb herët në mëngjes pasi u godit nga një anije e madhe, sipas pamjeve të një videoje.
Videoja e përplasjes tregon një anije të lartë të drejtuar drejtpërsëdrejti drejt një prej kolonave mbështetëse të urës përpara se të përplasej me të. Përplasja shkaktoi menjëherë shembjen e pjesëve të urës.
Përplasja shkaktoi shtëllunga të mëdha tymi dhe zjarri në ajër dhe një pjesë e urës u duk se u shemb mbi pjesën e përparme të anijes, treguan pamjet video.
Tymi i errët vazhdoi të ngrihej në ajër për disa minuta.