Autoritetet greke kanë sekuestruar të premten një sasi të madhe kokaine. Droga e ardhur nga Ekuadori ishte fshehur në një konteiner me banane.
Kokaina, me peshë 41,5 kilogramë, u zbulua në një konteiner që ishte dërguar nga Ekuadori dhe kishte brenda një ngarkesë me banane.
Konteineri ndodhej në magazinat qendrore të fruta-perimeve në rendi të Athinës.
Shërbimi i ndjekjes së krimit ekonomik (SDOE), që duket se dispononte informatat e duhura, përdori qenin e zbulimit të drogës. Kokaina, e ambalazhuar në paketa plastmasi, ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar në muret e konteinerit.
U arrestuan pesë persona. Drejtuesi i mjetit me të cilin ishte transportuar konteineri, përfaqësuesi i firmës së transportit, marrësi në dorëzim i ngarkesës, doganieri dhe ndihmësi i tij.
Ndërsa është vënë në dijeni edhe prokuroria, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e gjithë çështjes.