Salianji: Deputetja socialiste, Bushka 10-fishoi pasurinë në 4 vitet e fundit
ATSH
26 Shtator 2018
Partia Demokratike me anë të deputetit të saj Ervin Salianji ka akuzuar sërish deputeten e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka për rritjen e pasurisë së saj.
Në një deklaratë për mediet, Salianji tha se vetëm në 4 vitet e fundit biznesi i bashkëshortit të saj, Altin Bushka, ka 10-fishuar të ardhurat.
Deklarata e deputetit Ervin Salianji
Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka bëri sot rolin e shërbëtores së oborrit të Edi Ramës për të sulmuar me të pavërteta opozitën, në mënyrë që të mbrojë pasurinë e saj personale.
Këtë pasuri Klotidla Bushka e ka vënë duke grabitur tenderat publikë. Duke hedhur baltë mbi opozitën, Klotilda Bushka u fshehu pasurinë në emër të bashkëshortit të saj.
E vërteta është se Altin Bushka, bashkëshorti i Klotildës, ka 10-fishuar të ardhurat e kompanisë me marrjen e pushtetit nga Edi Rama.
Grafiku tregon qartë se kompania “Selcom”, në pronësi të Altin Bushkës dhe Gentian Sulës, një tjetër klient i Edi Ramës dhe Erion Veliajt, deri në vitin 2012 ka qenë pothuajse inekzistente. Por në 4 vitet e fundit kompania ka rritur me 10 herë pasurinë e saj.
Dhe kjo është vetëm pasuria e dukshme e Klotilda Ferhatit.
Vetëm me tendera publikë kompania e Klotilda Bushkës ka marrë 3 miliardë e 500 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve.
Me vetting-un që propozon Partia Demokratike Klotilda Bushka largohet nga politika.
Është pasuria e grabitur motivi i vetëm pse Edi Rama dhe shërbëtorët e tij, si Klotidla Bushka, kundërshtojnë platformën e opozitës, që do të sekuestrojë pasuritë e politikanëve të korruptuar dhe oligarkëve të lidhur me ta.
Me nismën e vet, Partia Demokratike do ta çlirojë ekonominë nga një grusht oligarkësh dhe klientësh të Edi Ramës, duke i dhënë mundësi të barabartë për konkurim çdo biznesi.
Frikë nga vetingu në politikë dhe nga paketa antimafia duhet të kenë vetëm ata që, bashkë me Edi Ramën, u kanë vendosur gjobë shqiptarëve vetëm me koncesione 2.2 miliardë euro.
Ndaje me miqte