Sa para paguajnë shqiptarët në Greqi?
TV TRIBUNA
07 Maj 2019
Është thënë vazhdimisht se shqiptarët kanë dhënë një kontribut vendimtar në disa sektorë jetikë të ekonomisë greke.
Është thënë madje, se shqiptarët janë ata që i bëjnë “transfuzion” sistemit të sigurimeve shoqërore.
Madje edhe gjatë viteve të krizës më të thellë ekonomiko-financiare që kaloi Greqia, shqiptarët mbeten numerikisht komuniteti më i madh i shtetasve të huaj, rrjedhimisht dhe kontributorët më të mëdhenj krahasuar me emigrantët e tjerë.
Kontributi financiar i shqiptarëve evidentohet masivisht në:
Sistemin e sigurimeve shoqërore,
Taksat e lejes së qëndrimit.
Le t’i marrim me radhë:
Nga shifrat zyrtare rezulton se aktualisht në amzat e sistemit të sigurimeve shoqërore greke (EFKA) ndodhen 97.589 punonjës shqiptarë. Këta përbëjnë 52,46% të gjithë numrit të shtetasve të huaj që janë të siguruar (186.027).
Sipas ligjit, një punonjësi i mbahet nga paga 20% e vlerës për sigurimet shoqërore. Ne po caktojmë një shumë të përgjithshme prej 250 euro në muaj.
Secilit prej këtyre 95 e ca mijëve i takon që të paguajë për një vit 3000 euro.
Për 20 vjet që kur u bë i detyrueshëm siguracioni, 60.000 euro. Po, mirë dëgjuat, 60.000 euro.
E shumëzuar kjo për 97.589 punonjës që aktualisht kanë soiguracion, baraz me 5.885.340.000 euro.
Sigurisht, kjo shumë është gati dyfish më e madhe, po të llogarisim që në vitet para krizës ka qenë një numër të paktën dy herë më i madh i shtetasve shqiptarë që punonin me siguracion në Greqi.
Dhe që shumica i paguanin siguracionet nga xhepi, pasi ensimat ishin (dhe janë) kusht i domosdoshëm për të rinovuar lejen e qëndrimit.
Dhe vijmë tani te lejet e qëndrimit:
Sipas të dhënave më të fundit, me leje qëndrimi në Greqi janë janë 364.574 shqiptarë.
Po të supozojmë që secili prej tyre paguan 150 euro për lejen e qëndrimit, na rezulton që nga një valë rinovimi e lejeve të gjithë këtyre shqiptarëve, shteti grek inkason 54.686.100 euro.
Po të supozojmë se secili e ka rinovuar 6 herë lejen e qëndrimit, i bie që në arkën e shtetit grek të jenë inkasuar në 20 vitet e fundit, 328.116.600 euro.
Shifër aspak e papërfillshme.
Aq më tepër, që, si dhe në rastin e siguracioneve, duhet të marrim parasysh që secili ka pasur raste që ka paguar të paktën 300 euro për një rinovim, ndërsa ne morëm si mesatare 150 eurot.
Për arsye objektive në llogaritjet tona nuk kemi përfshirë shumat që bashkatdhetarët kanë paguar nëpër avokatë, nëpër sekserë dhe sportele të ambasadës shqiptare, legalizime dhe përkthime çertifikatash, etj.
Ndaje me miqte