0030 210 33 18 483

Sa mirë të kemi deputetin tonë në Parlamentin Grek...

Armela HYSI 04 Korrik 2019

Prita më kot në mjaft nga edicionet e lajmeve, të këtyre ditëve në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 7 korrikut në Greqi, të dëgjoja mbi programet e partive që garojnë me kandidatët për deputet në lidhje me politikën që do të ndjekin në çështjet e emigrimit dhe emigracionit. Përveç shumë pak dhe shumë rrallë referime, kryesisht për refugjatët dhe emigrantët e viteve të fundit, (çështje që nuk prek ne shqiptarët që jetojmë gati për tri dekada në shtetin helen), dhe madje shumica e komenteve, a “zgjidhjeve” qenë në lidhje me dëbimin e tyre, asgjë nuk dëgjohet...

E njëjta gjë më pati ndodhur edhe të dielën e zgjedhjeve për Evrodeputetët dhe drejtuesve të pushtetit lokal, të Greqisë, që sapo kaluan rreth një muaj më parë, kur qesh në përgjim se mos dëgjoja më në fund diçka për kandidatët e zgjedhjeve me origjinë shqiptare dhe akoma, se si votuan emigrantët, një shprehje që mbajnë në tituj, një sërë reportazhesh, por me faktorë të ndryshëm me peshë për llogaritjen e peshores së ndjeshme të vendimit elektoral, si për shembull, Pensionistët, Të rinjtë, Të pavendosurit, etj. por më kot.

Çështja e emigrimit, është një çështje që gjithmonë hynë nën rrogoz këtu e vite nga politikanët qeverisës e mediat dhe përherë na lë aq të pakënaqur të gjithëve ne që kemi emigruar në Greqinë halleshumë dhe s’na lë të qetësohemi e të shohim me siguri e të drejtat legjitime, jetën e të ardhmen. Të gjithëve ne, me një numër kaq të madh, pothuaj dhjetë për qind të popullsisë, por kaq të pallogaritshëm për politikanët e politikën. Sivjet ama pretendonim të gjithë se diçka kishte ndryshuar për mirë. Edhe fluksi i kandidatëve për drejtuesit e pushtetit lokal, me kombësi a origjinë shqiptare që dhjetëra njësi politike përzgjodhën në grupet e tyre të punës, qe një tregues domethënës, që diçka kishte ndryshuar. Apo jo? Rezultati, çuditërisht, qe i njëjtë me të gjitha vitet e tjera...

Në biseda të ndryshme me bashkatdhetarët dëgjoj hamendësime e analiza të ndryshme: mos informimi për shembull i saktë, i shqiptarëve emigrantë qe një nga ato justifikime që dëgjova. M’u kujtua një nga ato shprehjet e goditura kur thuhet se s’ka shurdhëri më të thellë se e atij që s’do të dëgjojë, nëse vërtetë dikush do të thotë se nuk qe i informuar për kandidatët shqiptarë. Shqiptarët sot në Greqi kanë televizionin e tyre dhe lajmet në shqip, bashkë me gazetën elektronike Tribuna, që herë pas here e ka prekur rrënjësisht çështjen. Kanë dhe dhjetëra grupime përkatëse, shoqata e Federatën etj. E kuptoj që shumë nga bashkitë mund të mos kenë numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë me të drejtë votimi, sa të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të pushtetit lokal, pranë zonave të tyre. Por le të mendojmë në lidhje për shembull me kandidaten për evrodeputete të Lëvizjes për Ndryshim – KINAL, zonjën Eda Gemi, një zonjë që ndonëse nuk e njoh personalisht, nuk mund të mos vija re biografinë e saj impresive, profesionale, bagazhin social-kulturor që përcillte me fjalën e saj, kujdesin dhe njohuritë që kishte mbi komunitetin shqiptar dhe padyshim dëshirën, oreksin e përpjekjen për ta përfaqësuar këtë. Numrat dalin, pra, po të llogarisim shifrën që paraqitet në lidhje me qytetarët shqiptarë të ardhur pas viteve nëntëdhjetë të cilët kanë fituar të drejtën e votimit, por nuk e di sa kanë fituar kapacitetin e mendimit të pjekur politik e aq më pak mendësinë e një qytetari të lirë që vetëvendos për çështjet e veta e të fëmijëve të vet.

Dikush-dikush në “analiza-hamendësimet” që sipër përmenda më cilësoi se ka ndonjë nga zotëruesit e pasaportës greke, e quajnë veten më grek se shqiptarë, tashmë, dhe unë nuk mund t’i lejoj vetes as guximin e pasjellshëm, as naivitetin e pavend të vë në mikroskop, e jo më të bëjë kritikë se si do e quaj veten dikush. Nuk më intereson madje, se që të më takoj, jo e jo. Por jam e sigurt se përfaqësimi i komunitetit shqiptarë në qarqet qeveritare, nuk do kishte veçse të mira për këdo, edhe për ta, gjithashtu. Përfaqësuesit janë po aq grekë sa edhe ata, në mos më tepër, kjo është dhe arsyeja që ata munden të kanditojnë, dhe njohin mirë historinë e ardhjes gjer këtu të secilit, duke qenë se është e përbashkët; por duke vendosur një gur kaq të rëndë në supet e tyre, ata më duken paksa më patriotë të të dy kombeve, se të gjithë ata që vendosin për ndarje, tabela dhe izolime. Të gjithë ne “të ardhurit” e viteve nëntëdhjetë që mbetëm deri sot në shtetin helen, edhe ata që e ndjenin atdheun e tyre që para se të vinin vitet nëntëdhjetë, nuk besojnë se ndryshojnë, ose kanë përse, e kemi lidhur ngushtë jetën tonë me Greqinë, me popullin grek, me vendin këtu që mendoj se e quajmë pa asnjë dyshim vendin tonë dhe atdheun tonë të dytë. Lindëm fëmijët tanë dhe i mëkuam me dashuri për rrënjët, por gjithashtu në çdo aspekt, janë po aq grekë sa vendasit, sot. Është nevojë të përfaqësohemi e të luftojmë pareshtur për integrimin dhe emancipimin e vazhdueshëm, por është nevojë më e madhe të përqendrohemi në qëllime e pikësynime të përbashkëta. Kush mund t’i dijë më mirë nevojat tona se dikush që i ardhur nga gjiri ynë, i ka provuar vetë ato. Pa le që nëse flasim për kandidaturën që intereson dhe zgjedhjet e radhës të 7 korrikut të parlamentit grek, zotin Fatos Malaj, ai njeh dhe ligjet e gjithçka për mbarëvajtjen, kërkesat, dhe çfarë duhet bërë më e mira, në lidhje me komunitetin shqiptar dhe procedurën institucionale e konstitucionale të pajisjes së tyre me dokumentet përkatëse sipas ligjit, si rezultat jo vetëm i interesimit për bashkëkombësit e vet, por edhe sepse përvoja e tij profesionale është më e mira e mundshme për një deputet që të mund të tregojë me shembuj e punë të frytshme e të zgjidhi një herë e mirë të tilla çështje, gjë që e kemi nevojë të gjithë emigrantët, por dhe qartë e pa asnjë rezervë edhe vetë shteti grek. Mos të harrojmë për hir të së vërtetës se një trajtim me disiplinën e nevojshme të kësaj çështjeje, shteti grek e ka të nevojshme këtu e vite dhe ka marrë madje dhe vërejtje konkrete edhe nga organizma më të lartë, siç është dhe Bashkimi Evropian, etj. Dhe po të shikohet qartë, ngjarje si dhe ajo e fundit, e emigrantes armene që humbi jetën pasi qe pa leje pune e qëndrimi në një nga spitalet shtetërore vendase, të punës së pasiguruar, të dokumentimit jo të saktë të emigrantëve, të gjitha këto janë probleme që vuan po ashtu edhe populli grek, nëse nuk zgjidhen, jo vetëm për emigrantët, që përmasat tragjike të vazhdës së problemeve të kësaj teme janë të përditshme. Kuptohet që hallet e tjera, të vogla a të mëdha, të përgjithshme, a më specifike e të veçanta, i takojnë të gjithë njerëzve, pa dallim kombësie e klase, për të cilën do të ndeshet një parlamentar. Por duhet thënë që dhe partia në fjalë, me të cilën kandidon z. Malaj, ish PASOK dhe tashmë KINAL, Lëvizja për Ndryshim, si do që jo në një ditë nga më të mirat, duhet pranuar, për sa i përket pozitave të saj në lidhje me pozicionin në opozitë, është tradicionalisht një nga partitë më të ndjeshme e të dashura, si dhe më popullore në arenën e politikës greke të pas luftës dhe besohet se do të vazhdojë të jetë një nga njësitë politike më të rëndësishme për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Megjithatë, sado që flasim, të përmendim raste dhe të japim shembuj, dihet që përfaqësimi në Parlament i një grupimi të përcaktuar sjell vetëm gjëra pozitive.

Është një gjë e mrekullueshme që ka njerëz që marrin guximin të bëjnë hapin e parë e të hapin rrugën në këtë fushë, siç është një rast historik për të gjithë votuesit me prejardhje shqiptare të veprojnë me mendje të hapur dhe përgjegjësi për mbështetje dhe veprim.

 

 

Ndaje me miqte