0030 210 33 18 483

Rritet ndjeshëm numri i nënshtetësive greke. 86% e përfituesve - shqiptarë

Tribuna TV 10 Prill 2018

Numri i personave që përfituan nënshtetësinë greke në vitin 2016 ishte 33.210, ose 138% më shumë në krahasim me 2015-n. Sipas të dhënave që publikoi shërbimi statistikor europian, Eurostat, 86% e tyre ishin shtetas shqiptarë, 1,5% ukrainas dhe 1,2% rusë.

Në total 995.000 veta morën gjatë vitit 2016 nënshtetësinë e një vendi anëtar të Bashkimit Europian. (në 2014 kishin marrë nënshtetësinë e një vendi të BE-së 889.000 dhe në 2015 – 841.000). 12% e tyre ishin nënshtetas të një vendi tjetër të BE-së, ndërsa shumica dërrmuese ishin shtetas vendesh të treta ose persona pa nënshtetësi.

Grupimi më i madh që mori nënshtetësi europiane ishin marokenët (101.300 persona). Nga këta, 89% morën nënshtetësinë italiane, spanjolle apo franceze.

Në vend të dytë, shqiptarët, nga të cilët 67.500 (ose 97%), morën nënshtetësinë greke apo italiane.

Pastaj indianët (41.700 persona, 60% e të cilëve mori nënshtetësinë britanike) dhe me radhë: pakistanezët (32.900, më shumë se gjysma e të cilëve morën nënshtetësi britanike); turqit (32.800, më shumë se gjysma e të cilëve morën nënshtetësinë gjermane); dhe ukrainasit, (24.000 persona, 60% e të cilëve morën nënshtetësinë gjermane, rumune, portugeze apo italiane).

Marokenët, shqiptarët, indianët, pakistanezët, turqit, rumunët dhe ukrainasit, përfaqësojnë së bashku 33% të  numrit të përgjithshëm të personave që  morën nënshtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian në 2016-n. Rumunët (29.700) dhe polakët (19.800) ishin dy grupet më të mëdha të qytetarëve të BE që morën nënshtetësinë e një vendi tjetër anëtar.

Shumica e vendeve anëtare të BE-së akorduan më shumë nënshtetësi në vitin 2016, se sa në 2015-n. Rritja më e madhe u shënua në Kroaci që në 2016-n akordoi trefishin e nënshtetësive në krahasim me një vit më parë (rritje 232%: nga 1.196 në 3.973).

Pastaj Greqia me një rritje 138% (13.933 në 2015-n, 33.210 një vit më vonë), dhe Malta me një rritje 131% (nga 646 në 1.495).

Sa i përket natyralizimit (politografisi), rritja në e madhe u shënua në Kroaci (9,7 nënshtetësi për çdo 100 shtetas të huaj), në Suedi (7,9), në Portugali (6,5). Pastaj vijojnë Greqia dhe Rumani (të dyja me 4,2), Finlanda dhe Italia (4,1).

Në të kundërt nivelet më të ulëta të dhënies së nënshtetësisë me natyralizim ishin në Austri, Letoni dhe Sllovaki (0,7), Estoni dhe Lituani (0,9) dhe Republika Çeke (1,0).

Ndaje me miqte