Rinovimi i lejes së qëndrimit me pasaportë të skaduar
TV Tribuna
23 Gusht 2020
Emigrantët që u ka skaduar pasaporta nuk do të kenë problem për rinovimin e lejeve të qëndrimit.
Kjo përcaktohet në një shkresë që sekretariati i emigracionit u ka dërguar drejtorive përkatëse në gjithë Greqinë.
Sipas udhëzimit, qytetarët shqiptarë, që kanë pasaporta të cilat kanë skaduar apo skadojnë brenda këtij viti, duhet të pranohen nga shërbimet e emigracionit.
Deri tani, këto shërbime, nuk pranonin të kryenin veprime si rinovim i lejes së qëndrimit, nëse pasaporta ishte e skaduar.
Bashkëpunëtori i TV Tribuna, Fatos Malaj, e ka parashtruar që prej disa javësh këtë problem para organeve kompetente dhe përfundimisht zgjidhja u dha.
Në shkresën e firmosur nga drejtori i përgjithshëm i emigracionit, Kostas Knitis, thuhet:
Në vazhdim të informimit përkatës nga ministria e jashtme, ju bëjmë me dije se pranohen nga shërbimet si dokumenta të vlefshme deri në 31.12.2020, gjithë pasaportat shqiptare që skadojnë brenda vitit 2020, në kuadër të amendamentit përkatës që qeverisë së Shqipërisë.
Rrjedhimisht, qytetarë shqiptarë, posedues të këtyre pasaportave, mund të kryejnë veprime me shërbimet tuaja për të gjitha aktet që kanë të bëjnë me lejen e qëndrimit sipas dispozitave të ligjit 4251/2014.