Reuters: Greqia, e gatshme për të dalë nga programi, përballet ende me sfida të vështira
20 Gusht 2018
Greqia del nga programi i tretë i shpëtimit në 20 gusht dhe shpreson që të jetë në gjendje për të marrë sërish kredi nga tregjet e huaja, pas gati 9 vitesh krizë të borxhit që e tkurri ekonominë greke me 26% dhe e detyroi të ndërmarrë masa të ashpra shtrënguese, vë në dukje agjencia Reuters, në një koment të titulluar “Greqia e gatshme të dalë nga programi, përballet ende me sfida të vështira”.
“Teksa Athina po sheh tani rikthimin në normalitet dhe në rifitimin e sovranitetit ekonomik shenjat e plagëve mbeten – bankat janë të ngarkuara me kreditë e këqija dhe borxhi publik grek vazhdon të jetë më i lartë në Eurozonë, në 180% të prodhimit kombëtar.
Ndërkaq, drita e diellit po shfaqet përmes reve. Ekonomia që u tkurr 26% në vitet e krizës, ka filluar të shënojë rritje, turizmi po lulëzon dhe papunësia po reduktohet gradualisht – në 19,5% nga rekordi maksimal i pothuaj 28 për qindshit.
Ekonomia greke pati rritje për të pestin tremujor rresht në periudhën janar – mars me një ritëm vjetor në ngritje 2,3%, një tregues që rritja ekonomike po përfiton dinamikë me ndihmën e eksporteve neto. Komisioni Europian parashikon rritje 1,9% për sivjet. Ndërkaq, mbetet skepticizmi, përfshirë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili sheh forcim të rritjes ekonomike në 2% sivjet dhe 2,4% në vitin 2019, por thekson se “risqet e jashtme dhe të brendshme”.
Lehtësimi i borxhit që u arrit në marrëveshje me partnerët e Greqisë në Eurozonë, në qershor, dhe që parashikon zgjatjen e afateve të shlyerjes të disa kredive dhe reduktimin e interesave për kredi të tjera, në kombinim me një “jastëk” sigurie prej 24 miliardë euro, do të ndihmojë në përmirësimin e qëndrueshmërisë së borxhit në plan afatmesëm dhe do ta bëjë me të lehtë aksesin e Greqisë në tregjet ndërkombëtare.
Por FMN thotë se qëndrueshmëria afatgjatë 9e borxhit) mbetet e pasigurt dhe se nevojitet një rishikim “realist” për çështjet që kanë të bëjnë me suficitin primar dhe zhvillimin ekonomik, përfundon Reuters.
Ndaje me miqte