Rekomandimi, Bushati: Shqipëria duhet të mbajë ritmin e reformave
19 Prill 2018
TIRANË, 19 prill /ATSH-Maela Marini/ – “Shqipëria duhet të mbajë ritmin e reformave, ndaj është e rëndësishme që të gjithë aktorët politikë të jenë sa më të bashkuar për të korrur fryte të mëtejshme në procesin e integrimit europian”.
Kështu deklaroi të enjten, në një intervistë televizive, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili foli për sfidat që ka përpara vendi pas marrjes së rekomandimit për hapjen e negociatave.
I pyetur se çfarë përfitojnë shqiptarët nga ky proces, Bushati tha se “KE ka bërë një rekomandim të qartë për sa i përket fillimit të bisedimeve”.
“Një rekomandim që i shkon vendeve anëtare dhe KE ka konfirmuar arritjet që ka bërë Shqipëria sidomos 2 vitet e fundit. Ka evidentuar krahas arritjeve, fushat ku nevojiten më shumë punë dhe më shumë reforma”, tha Bushati.
Ai citoi Shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, e cila tha dje në Tiranë se “krahas rekomandimit dhe gëzimit për këtë rekomandim, fjalët kyçe mbeten thellimi i mëtejshëm i reformave dhe mbajtja e ritmit të reformave”.
Marrja e rekomandimit, sipas Bushatit, është shprehje e angazhimit të qartë të institucioneve shqiptare. “Është gabim t’i ndajmë etapat e vendit në integrimin europian, apo euroatlantik. Janë teza shumë të vjetra e arkaike”, tha ai.
Udhëtimi i Shqipërisë drejt BE-së ka filluar në 1991. Për Shqipërinë rruga ka qenë e gjatë, krahasuar me potencialin që ka vendi. Shqipëria ka aplikuar në 2009 dhe vetëm në 2018 kemi një rekomandim të qartë”, shtoi Bushati.
Duke komentuar qëndrimin e dëshmuar nga opozita e tanishme në këtë proces, Bushati tha se, “nuk mund të mohohet fakti që e kemi parë edhe së bashku të gjithë, kur para pak kohësh më të interesuar për të pasur një deklaratë të përbashkët për Shqipërinë ishin parlamentarët europianë se sa disa deputetë të opozitës që ngatërrojnë aktualitetin politik me integrimin europian që shkon përtej flamujve politikë”.
Bushati uroi që klasa politike të mos përsërisë gabimet e së shkuarës. “Mënyra si e ka lexuar PD këtë moment të shënuar për të gjithë shqiptarët nuk më ka lënë një shije të mirë. Vijimi i debatit edhe sot në Kuvend është sinjal për ta tensionuar situatën politike në vend në mënyrë artificiale”, tha ai.
Lidhur me punën që duhet të bëjë Shqipëria për të bindur vendet skeptike, Bushati tha se “motorët tanë kanë qenë ndezur që në fillim të këtij viti me të gjitha vendet në këtë drejtim”.
Ndërsa sa i përket qëndrimit të Gjermanisë, Bushati tha se “bashkëpunimi ynë me Gjermaninë është kapilar dhe i shkëlqyer”.
“Javës tjetër shoqëroj Kryeministrin Rama në vizitën në Berlin. Edhe pse takimi kryesor është ai me Kancelaren Merkel, gama e takimeve është e gjerë, me takime në Bundestag dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile”.
Ndaje me miqte