0030 210 33 18 483

Reklamimi dhe promovimi i Shqipërisë turistike nëpërmjet kinematografisë

Melisa CANKOLLARI & Konstadinos GIANNOPOULOS 29 Dhjetor 2020

“To Rome with Love”-  ishte titulli i filmit të Woody Allen ne 2012, ku përvec skenarit dhe komplotit, regjisori thekson me humor temperamentin e Italianëve. Sigurisht që filmi përqendrohet në pikat  më  turistike , në  monumentet historike dhe kulturore, të “qytetit të përjetshëm”.

Ky film u financua plotësisht nga faktorët e turizmit të kryeqytetit Italian, siç e pohon më vonë dhe vetë krijuesi i tij të cilin e gëzoi edhe e lehtësoi shumë kjo gjë. Në këtë  mënyrë vërtetohet edhe një herë se kinematografia në ditët e sotme, është një nga faktorët më të rëndësishëm  turistike për reklamimin edhe promovimin e një destinacioni.

Fuqia e kinematografisë si ndërmjetës në audiencën e gjerë është e njohur për ndikimin e saj. Që nga prodhimet kinematografike të shekullit të kaluar ku filmat prodhoheshin me synim kryesor propagandën, deri në ditët e sotme ku kinematografia krijon idhuj, reklamon mallra të konsumit, së fundmi edhe destinacione turistike. Sipas ekspertëve  vihet re qe filmat kanë një ndikim te madh në zgjedhjet e këtyre destinacioneve.  Në këtë mënyrë vitet e fundit u zhvillua botërisht një  formë e  re e turizmit, kinematografikë.

Me turizëm kinematografik përkufizohet fenomeni i lëvizjes së njerëzve me qëllim që të vizitojnë vende në të cilat janë xhiruar filma.

Vizitoret  të cilët zgjedhin ketë  formë turizmi kanë si frymëzim filmat e ndjekur në kinema, televizione apo si edhe nga materiale të tjera audio-vizive si videoklipet muzikore, dokumentarë, etj.

Në disa sondazhe që u benë në  Mbretërinë e Bashkuar,  8 në 10 Britanikë marrin ide për pushimet e tyre nga destinacionet të cilat shfaqen neper filma, ndërsa 1 në 5 Britanikë realizojnë udhëtime ne destinacionin e filmit të tyre të preferuar. Një fakt interesant sipas ‘Tourism Competitive Intelligence’: 40 milionë turiste zgjedhin destinacionin e pushimeve të tyre sepse e kanë pare në një film.

Mund te marrim pafundësisht shembuj ne nivel global edhe lokal.

Filmi “Zoti i Unazave” (The Lord of the Rings) ndikoi aq shumë në zhvillimin e turizmit në Zelandën e Re, saqë vendet ku u xhirua filmi patën një rritje të turizmit me 500%.  Filmi “Borat” rriti klikimet në  internet për Kazakistanin me 300%.  Një nga monumentet kryesore në Philadelphia (SHBA), shkallët e “Philadelphia Museum of Art” aty ku Sylvester Stallone luajti “Rocky Balboa” gjatë stërvitjes si boksier tek “Rocky” (1976) u bë një pikë  referimi për turistët.

Në rrethin Çanakala të Turqisë u vërejt rritja e numrit të turisteve pas shfaqjes se filmit “Troja” e njëjta gjë ndodhi edhe në  Kroaci pas lançimit të serialit me shikueshmëri rekord në botë “Game of Thrones”. Në Greqi fuqia e filmit “Mama Mia” u vërtetua me numrin e shumtë të dasmave nga të huajt vitet e fundit në ishujt Skopelo, Skiatho dhe Santorini.

Përfitimet ekonomike nga xhirimet e një filmi në një vend, janë të shumta dhe të rëndësishme si në kohën kur zhvillohen xhirimet por edhe më pas.

Vendet ku zhvillohen filmat kanë përfitime ekonomike gjatë kohës se xhirimeve te cilat mund të zgjasin nga disa ditë deri në muaj të tëre.

Prodhuesit e filmave  shpenzojnë për akomodimin e stafit, për marrjen me qira të ambienteve  si dhe mjeteve të tjera të nevojshme për xhirime. Por më  e rëndësishmja është së promovimi i një destinacioni nëpërmjet kinematografisë, është vërtetuar se tejkalon çdo fushatë reklamuese turistike të organizuar.

Interesi i kompanive të huaja kinematografike për xhirime në Shqipëri nuk është një fenomen i ri. Në të kaluarën, prodhime të huaja kthyen vëmendjen nga Shqipëria jo vetëm nga pozicionimi i saj gjeografik dhe peizazheve magjepsëse që ofron por edhe për historinë e saj. Mjafton një kërkim i thjeshtë në enciklopedinë më të madhe online IDMB, me fjalën kyçe “Shqipëri” dhe do të gjeni rreth 61 tituj filmash të cilët kanë lidhje me Shqipërinë.

Ka disa filma të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për xhirimet e tyre si:

1. The Albanian (2010)

2. The Forgiveness of Blood (2011)

3. Kolonel Bunker (1996)

4. The Sarrow of Mrs. Schneider  (2008)

5. The Brave ( 2019)

Këto filma i referohen dhe promovojnë zakonet dhe traditat e vendit, përpjekjet, vlerat e popullit si dashuria dhe përkushtimi, historinë dhe peizazhet e vendit.

Xhirimet më të fundit në Tiranë janë për telefilmin e suksesshëm Gjerman që nga viti 1996 “Alarm für Corba 11”.

Top Gear, emisioni më i ndjekur televiziv Britanik i BBC, në 2011 mbërriti në  Shqipëri  dhe realizoj episodin “Top Gear Albanian Road Trip” ku shikueshmëria e madhe e emisionit bëri që të flitej shumë për vendin.

Gjithashtu ka artistë të huaj të cilët kanë zgjedhur rivierën shqiptare për xhirimet e video-klipeve të tyre, siç është Jonas Blue-Mama ft, William Singe, por kemi edhe artiste të shumtë Shqiptarë që në bashkëpunim me artistë të huaj promovojnë në mënyrë të përsosur bukurit e vendit.

Turizmi përbën një nga faktorët më me rëndësi të zhvillimit ekonomik të vendit. Shqipëria si një shtet ende “i pazbuluar” me bukuri të shumta natyrore, ku peizazhi alternohet nga qafat malore, te plazhet e mrekullueshëm deri te vendet me rëndësi historiko-kulturore,  shumë shpejt mund të behet një nga vendet me ideal dhe të preferuara për xhirimet e shumë filmave.

Synimi i vendasve dhe  bizneseve lokale është që në bashkëpunim me Ministrin e Turizmit ose edhe në mënyrë të pavarur të tërheqin vëmendjen e producentëve të huaj dhe të krijojnë për ta një ambient sa më miqësor dhe frymëzuese në mënyrë që të zgjedhin Shqipërinë për xhirimet e tyre në të ardhmen, duke krijuar kështu mundësinë  më të madhe të promovimit të vendit, si edhe mundësinë  e krijimit të destinacioneve të reja turistike.

 

Melisa Cankollari, Bachelor degree, Greek Language &Culture University of Tirana, IEK Alfa, International Hospitality & Tourism Management.

Konstantinos Giannopoulos Tourism Educator, PhD (c). in Tourism development, Harokopio University of Athens, MSc. in Planning, Administration & Policy of Tourism, University of Aegean, MSc. in Education and Human Resources management, University of Athens

Ndaje me miqte