0030 210 33 18 483

Regjisori shqiptar sjell në Athinë vendin e tij "që nuk vdes kurrë"?

TV TRIBUNA 08 Tetor 2021

Që prej 29 shtatorit, në teatrin “Stathmos” në Athinë po shfaqet vepra e re e regjisorit të njohur shqiptar Enke Fezollari “Vendi ku nuk vdes kurrë”.

Është dramatizimi i romanit të përkthyer në shumë gjuhë të piktores dhe shkrimtares Ornela Vorpsi – një manifest kundër patriarkalizmit dhe nëpërkëmbjes së personaliteti njerëzor në Shqipërinë komuniste që nga vitet 1970 deri në përmbysjen e regjimit.

Heroina e romanit është vetë shkrimtarja, e cila herë me humor dhe herë me dhimbje përshkruan rrugën e vet drejt maturimit.

“Imazhe të një vendi afër nesh që përmes hirnave të diktaturës së Enver Hoxhës përpiqet të rilindë, një vendi që nuk vdes kurrë”, vë në dukje shtypi grek duke iu referuar shfaqjes. “Një udhëtim në kohë në një vend ku kurrë nuk vdes, por mëson të jetosh, thuajse pa marrë frymë, të fshihesh, të nënshtrohesh, të ulësh kokën duke pritur ditë më të mira dhe, po qe me fat, të futesh në një aeroplan... T’i lesh lamtumirën përgjithmonë vendit tënd dhe pas shumë vitesh të shkruash një roman për atë çka jetove aty”...

Vetë regjisori Fezollari shkruan midis të tjerash në një shënim prezantues:

“Spektatori përballet me maturimin e një vajze të ngërthyer nëpër rregulla, në rrafshnalta socialpolitike, në një vend ku nuk vdes kurrë.

Mirëpo është diçka më tepër se lufta kundër një bote të dhunshme mashkullore dhe një regjimi totalitar. Është beteja e vetë njeriut që të ngrejë flamurin e mëvetësisë dhe të dinjitetit, të çlirohet nga zgjedha e “qenies” dhe përfundimisht të avancojë në rrugën e realizimit individual. “Vendi ku kurrë nuk vdes” është një shfaqje që ka hartën e vendit tim që përgjaket dhe lind nga hiri i vet. Të kujt vendi? Atij që kurrë nuk vdes”.

 

Informacion për shfaqjen

Shkrimtare: Ornela Vorpsi

Përkthimi: Maria Spiridopoulou

Dramatizimi-regjisura: Enke Fezollari

Kompozitor: Kostas Leivadas

 

Interpretojnë: Amalia Arseni, Vefi Redhi, Athina Karajoti

Shfaqjet vazhdojnë deri në 27 tetor 2021

Ora: 20,30

Vendi: Teatri “Stathmos”, adresa: Viktoros Hugo 55, Metaksurgjio, Athinë

Ndaje me miqte