0030 210 33 18 483

Reali në finale, i ndihmuar edhe nga "dhurata"? e Ulreich

Tribuna TV 02 Maj 2018

Real Madridi arrin të kualifikohet në finalen e tretë rresht të Champions League, duke lënë jashtë Bayern Mynihun, pas një ndeshjeje spektakolare të martën në mbrëmje në “Santiago Bernabeu”.

Me protagonist absolut Karim Benzema-në, por edhe portierin Kejlor Navas, i cili me tre ndërhyrje madhështore, pati një kontribut vendimtar në arritjen e Realit.

Madrilenët, pas fitores 2-1 një javë më parë në Mynih dhe barazimit 2-2 në fushën e tyre, do të pretendojnë për të tretën herë rresht Kupën, në finalen e 26 majit që do të luhet në Kiev. Ekipi që e dëshironte më shumë golin, ishte ai që kaloi shumë herët në avantazh. Në minutën e 3-të Joshua Kimmich e dërgoi me zgjuarsi topin në rrjetë.

Kundërpërgjigjja e madrilenëve ishte thuajse e menjëhershme dhe në të 11-tën, Karim Benzema barazoi, duke shfrytëzuar krosimin me precizion të Marcelos.

Ende pa filluar mirë e mirë pjesa e dytë, ishte përsëri Beznema që kësaj here e mori “dhuratën” nga gabimi i pafalshëm i portierit bavarez Ulreich dhe lehtësisht tundi rrjetën.

Gjermanët nuk u dekurajuan dhe në minutën e 63-të barazuan pas një tentative të dyfishtë të James Rodrigez, i cili nuk e festoi shënimin e golit, pasi është huazuar te Bayerni nga reali.

Megjithë përpjekjet e mysafirëve, që vazhduan deri në sekondën e fundit të ndeshjes, rezultati nuk ndryshoi dhe real Madridi futi në xhep biletën për finalen e Kievit, ku do të ketë përballë Liverpulin apo Romën, që ndeshen mbrëmjen të mërkurës në “Olimpico”.

Ndaje me miqte