Çëshjta e parë që ka trajtuar qeveria Mitsotakis, ende pa kaluar nga procedura formale e votëbesimit, ka qenë emigracioni.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis artikuluar prioritetet në fushën e emigracionit, në një mbledhje me ministrin e mbrojtjes së qytetarit, ministrin përgjegjës për politikën e emigracionit dhe ministrin e marinës.
Para kësaj mbledhjeje, kryeministri kishte pritur komisionerin e BE për emigracionin, Dimitris Avramopoulos.
Mitsotakis ka kërkuar që puna e qeverisë të fokusohet urgjentisht në gjashtë prioritete.
Përmirësimin e kushteve të jetesës për emigrantët dhe refugjatët,
Forcimin e ruajtjes së kufirit dhe kalimin nën komandën greke të trupave të agjencisë Frontex që operojnë në vend,
Përmirësimin e procedurave për dhënien e azilit,
Zbatimin me rigorozitet të marrëveshjes BE-Turqi për menaxhimin e flukseve, çka nënkupton kthimin mbrapsht të gjithë atyre që nuk marrin azil,
Përfundimin e punimeve në qendrën e pritjes dhe identifikimit të refugjatëve në ishullin Samos,
Përfshirjen e udhëzimeve europiane në politikën e sigurisë publike.
Qytetarët grekë ia dhanë masivisht votën zotit Mitsotakis, pse i besuan shpresës për një të ardhme më të mirë në planin ekonomik.
Por një javë pas betimit, qeveria e re tregon se ka si prioritet emergjent emigracionin.
Mirëpo, shenjat e para të punës së qeverisë në këtë fushë, kanë një ngjashmëri të përpiktë me qeverinë e mëparshme, që e identifikoi gjithë politikën e emigracionit me trajtimin e refugjatëve, duke lënë pas dore shërbimet administrative për atë popullatë të madhe emigrantësh ekonomikë që ndodhen prej gati tre dekadash në Greqi.
Prej shumë kohësh në këto shërbime janë rikthyer radhët e gjata, ku emigrantët zënë vend që në orët e natës, ndërsa u duhet të presin më shumë se dy vjet për të marrë lejet e qëndrimit.
Një nga shkaqet e kësaj situate ka qenë indiferenca e qeverisë së mëparshme për të siguruar personelin e nevojshëm, si dhe disa ndryshime ligjore që e vështirësuan më tepër një pjesë të procedurave.
Tashmë, kryeministri i ri e ka kaluar politikën e emigracionit në ministrinë e mbrojtjes së qytetarit, akt që është kritikuar nga opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut.