Qeveria greke dorëzon projektbuxhetin e vitit 2019
Tribuna TV
22 Nentor 2018
Zëvendësministri i financave, Jorgos Huliarakis, i ka dorëzuar kryetarit të parlamentit Nikos Voutsis, projektbuxhetin e vitit 2019.
Projekti i buxhetit do të shqyrtohet në komisionin përkatës parlamentar nga e hëna, 26 nëntor. Ndërsa diskutimi në seancë plenare do të fillojë më 12 dhjetor, më synimin që të votohet deri më 18 dhjetor 2018.
Parashikimet
Sipas projektbuxhetit, prodhimi i përgjithshëm i brendshëm (PPB) për vitin 2019 parashikohet të jetë 192,749 miliardë euro. Nëse kjo realizohet, do të jetë një rritje me 2,5% kundrejt PPB të vitit në vazhdim, që është 185,658 miliardë.
Po sipas projektbuxhetit, treguesit bazikë të ekonomisë greke do të jenë gjatë vitit 2019 si më poshtë:
Konsumi privat do të shënojë një rritje 1,1% (nga 1%) në 2018-n, ndërsa konsumi publik do të rritet me 0,6% (0,2% në 2018).
Investimet private do të rriten me 11,9%, nga 0,8% këtë vit.
Eksportet do të rriten me 5,8% (nga 7,5% në 2018) dhe importet do të rriten me 5,2% (nga 3,4% sivjet).
Niveli i papunësisë do të vazhdojë të bjerë, duke arritur në 18,2%, nga 19,6% që është këtë vit.
Inflacioni do të shënojë një rritje me 1,2% (nga 0,8% në 2018).
Sipas ekspertëve që kanë përgatitur projektbuxhetin, faktorët e riskut për ekonominë greke po zhvendosen gradualisht nga ambienti i brendshëm në atë të jashtëm. Kjo do të thotë se vërtetimi i parashikimeve për vitin 2019 varet më shumë nga dominimi i rrethanave normale në mjedisin ndërkombëtar gjeopolitik dhe ekonomik, në mesin e një shkallëzimi potencial të tensioneve tregtare dhe proteksionizmit tregtar, të tensioneve gjeopolitike që ushqejnë krizën e refugjatëve, por edhe të trazirave në stabilitetin politik të ekonomive të fuqishme të eurozonës, që rritin pasigurinë në tregjet ndërkombëtare.
Ndaje me miqte