Policia belge ka publikuar foto të reja nga gjetjet në bastisjet e banesave të personave të implikuar në skandalin Qatargate.
Sipas mediave belge, në këto kontrolle janë gjetur dhe sekuestruar 1,5 milionë euro cash.
Sot e mërkurë pritet që gjykata përkatëse të vendosë nëse ish zëv/presidentja e Parlamentit Europian Eva Kaili do të presë ditën e gjykimit në qelitë e burgut Haren në Buksel, apo do të lirohet me kusht.
Bashkë me zonjën Kaili në gjykatë do të shoqërohen edhe bashkëjetuesi i saj, Francasco Giorgi, ish eurodeputeti italian Antonio Panzeri dhe një person tjetër.
“Eva Kaili nuk kishte dijeni për paratë që u gjetën në banesën e saj në Bruksel”, i deklaroi avokati i zonjës Kaili Mihalis Dimitrakopoulos agjencisë AFP.
Ndërsa në një intervistë për agjencinë Reuters, avokati Dimitrakopoulos tha se klientja e tij “ndihet e tradhëtuar nga kolegët e parlamentit europian” që vendosën t’i heqin funksionin e nënpresidentes.
“Fola sot me zonjën Kaili dhe e theu heshtjen e saj. Shprehu ankesa për qëndrimin e kolegëve në parlamentin europian. Thotë se ndihet e tradhëtuar kur e paraqesin sikur ka axhendë personale me Katarin dhe lënë të kuptohet se është korruptuar. Qëndrimi i saj është se është e pafajshme, Katari nuk e kishte nevojë, nuk ishte nevoja të korruptohet, nuk kishte asgjë që t’i ofronte Katarit”.