Pas disa muajsh, kushdo, i cili ka aplikuar për nënshtetësinë, do të kujtojë edhe një herë vitet e shkollës së mesme dhe provimet e maturës.
Provimi i gjuhës dhe i njohjes së historisë dhe institucioneve nuk do të zhvillohet më para komisioneve, por në seanca masive provimesh, që do të zhvillohen dy herë në vit.
Lajmin e ka dhënë ministri i brendshëm grek, Takis Theodorikakos, në një intervistë për mediat vendase, ku tha se do të sanksionohet një sistem provimesh kombëtare për dhënien e nënshtetësisë qytetarëve të huaj.
Qytetarët që duan të bëhen grekë, do të kenë mundësinë dy herë në vit të marrin pjesë në provimet kombëtare, të garantuara për integritetin e tyre dhe, ku nëse dëshmojnë njohjen e mirë të gjuhës, të historisë dhe të institucioneve, do të mund të bëhen shtetas grekë.
Ministri i brendshëm grek ka shtuar se po vihet një rend në çështjen e dhënies së nënshtetësisë qytetarëve të huaj.
“Nuk mundet që sistemi të ketë subjektivizma dhe t’u nënshtrohet rreziqeve të korrupsionit.
Sistemi do të bëhet i drejtë, i shpejtë, objektiv dhe absolutisht transparent, që mos ketë hapësira as për vonesa, as për burokraci dhe korrupsion.
Nuk i ndryshojmë kushtet që të mundë dikush të bëhet shtetas grek, por në vazhdim gjithë ata kalonin nga komisione që kanë vonesa shumë të mëdha”.
Këto ndryshime përfshihen në një projektligj që ministria e brendshme ka përgatitur dhe do të dorëzojë së shpejti në parlament.
Sipas ministrit Teodorikakos, janë pa u shqyrtuar 35.000 aplikime për nënshtetësi, disa prej të cilave që nga viti 2011.
Shumica dërrmuese e tyre u përkasin qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi.